Transmetuar më 31-01-2018, 14:51

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Ashtu siç edhe premtoi dy ditë më parë, Rama tha se do të lehtësohen procedurat në dogana. Kryeministri deklaroi më tej se nuk do të ketë më kontakt fizik mes sipërmarrësit dhe doganjerëve.

“Nuk do të ketë më një histori dashurie dhe mëkatesh midis importuesve, eksportuesve e doganierëve sepse doganierët do të jenë në trurin e sistemit dhe duke e ndjekur gjithë procesin si një sy që vëzhgon dhe jo si një dorë që jep e merr.

Të gjithë bizneset duhet të kenë të qartë që një afat i fundit është afati fundor. Kjo është përmbysje historike sepse heq një barrë shumë të madhe nga pikëpamja e burokracisë, kohës, stresit. 

Nga dogana e vjetër e mundimeve shumëvjeçare të importuesve dhe eksportuesve, në doganën moderne pa kontakt fizik mes sipërmarrësve e doganierëve, falë revolucionit digjital që e bën sipërmarrësin zot të aktivitetit të tij dhe shfaros korrupsionin e ul drastikisht kohën e kalimit në doganë”, u shpreh Rama.

Gjatw kësaj vizite Rama ka qenë i shoqëruar nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, Drejtoresha e Doganave Belinda Ikonomi si dhe këshilltari i tij nga Kosova, Lulëzim Rafuna.

Ndërsa ka parë nga afër punën dhe është njohur me detajet e transformikit të doganave, nuk kanë munguar as batutat e kryeministrit. Me nota humori, Rama tha se "këto zyra janë për Erjon Braçen, jo për mua". /b.l/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd