Transmetuar më 29-01-2018, 12:54

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi falënderoi sot çdo qytetar që protestoi të shtunën në shesh, duke thënë se u ngritën mbi frikën e pushtetit të Edi Ramës dhe dolën para godinës ku gatuhet krimi dhe korrupsioni qeveritar.

Në një dalje për mediat mesditën e sotme nga selia e LSI, ajo falënderoi qytetarët që ju bashkuan protestës për të larguar narko-qeverinë sipas saj, e cila ka uzurpuar vendin.

“Nesër do jemi më shumë sepse protesta jonë sapo ka nisur, sepse ajo është beteja e parë e një lufte pa kthim deri në rrëzimin e klikës arrogante dhe të kriminalizuar të pushtetit të Edi Ramës”, u shpreh ajo.

Kryetarja e LSI, falënderoi ata punonjës së policisë që qëndruan dhe bën detyrën e tyre dhe nuk ranë pre e provokimeve të qeverisë, siç tha ajo, të cilët herë pas here tentonin të provokonin turmën.

Në vijim ajo dënoi ato segmente të policisë, të cilët ditën e shtunë, tentuan të intimidonin dhe të tensiononin protestuesit gjatë kthimit në shtëpi, duke i ndaluar dhe mbajtur me orë të tëra në rrugët e Tiranës apo në rrugë të tjera.

“Protesta e 27 janarit, nuk ishte një parakalim përpara godinës ku gatuhet krimi, por për ti treguar Edi Ramës dhe gjithë atyre që e rrethojnë atë dhe mbajnë atë, se sapo ka filluar beteja e për ta rrëzuar. Është kjo betejë e cila nuk është më në dorë të opozitës, por e bën gjithë populli shqiptar, kundër varfërisë, pabarazisë së regjimit që ka ndjekur Edi Rama, kundër mungesës së vendeve të punës, kundër emigracionit, papunësisë dhe kësaj klike që çdo ditë e më shumë po i varfëron ata”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo nënvizoi më tej, se protesta e ditës së shtunë është vetëm fillimi, duke thënë se tashmë axhendën nuk e bën më opozita por shqiptarët.

Kryemadhi deklaroi se është një axhendë që sapo ka filluar dhe nuk do ndalet më deri në largimin e kësaj qeverie.

“Sot shqiptarët kanë vrarë frikën, tashmë e kuptojnë mjaft mirë se e keqja më e madhe për ta, që pengon vendin dhe integrimin është vetëm një njeri: Edi Rama dhe krimi i organizuar”, tha në mbyllje kryetarja e LSI. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd