









Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, nga foltorja e ngritur para Kryeministrisë në protestën e sotme të opozitës, deklaroi se qindra mijëra shqiptarë protestojnë kundër një njeriu që është vetëm, i rrethuar nga kumbullat e tij, të cilat tha ajo, nuk ia zgjasin dot jetën as edhe një minutë.
Ajo deklaroi se nuk është gjë tjetër veçse një protestë qytetare, dhe se ajo është bërë pjesë e saj si një nënë, si një grua, si një vajzë shqiptare, e cila e do vendin e saj.
“Unë sot vij këtu për të thënë zërin e çdo shqiptari, që do të shpëtojë nga makthi i varfërisë. Sot protestoj si çdo shqiptar që nuk ka mundësi të ushqejë fëmijët, për gjithë ata studentë që detyrohen të punojnë se s’paguajnë dot universitetet, tarifat e të cilave qeveria i ka çuar në stratosferë. Kryeministri i drogës u vuri sahatët e drogës, edhe puseve të ujit. Ky njeri që donte vetëm tepsinë, e ka dhe le ti hajë makaronat e tij vetëm. Ky njeri duhet të iki një orë dhe më përpara”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se Rama është vetëm fare, i ngrysur në zullumin e tij dhe nuk ka drejtësi, ambasadorë, lule, vajza, gra e burra që ta shpëtojnë, se i ka të gjithë kundër.
Kryetarja e LSI deklaroi se ky njeri duhet të kuptojë gjithçka, se thotë se do drejtësinë e kulluar, shqiptarët e kanë harruar se ka 20 vjet në pushtet, sa ç’kanë gjithë kryeministrat në pushtet në pluralizëm, ky njeri bën moral, ndaj kërkoi falje në emër të politikës, që Edi Ramës i është dhënë shansi të tallet me shqiptarët.
Ajo u bëri thirrje të gjithëve shqiptarëve që të ngrihen, të protestojnë, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, për gjithë ata gjimnazistë që sipas saj, janë viktima të trafikut të drogës, që janë pjesë e dhunës së mësuesve të politizuar të Edi Ramës, për gjithë ata studentë që duan një të ardhme dhe punë të garantuar.
“Sot frika iku nga mendja jonë, sot frikë nuk kanë më shqiptarët, sot frikë ka Edi Rama”, tha Kryemadhi.
Ndërsa për policët, deklaroi se i do të gjithë, duke u thënë “Ju dua të gjithëve! Ju jeni me ne, protestoni me ne, të largojmë këtë të keqe nga Shqipëria”.
Duke iu hakërryer Edi Ramës, ajo shtoi se “Shqipëria do i vërë çizmen Edi Ramës, se ky njeri e dhunoi më shumë se kushdo tjetër, ky njeri që është tallur me shqiptarët, ka ardhur koha ti themi ndal”.
Kryemadhi deklaroi se që nga ky moment i fton shqiptarët të mos ndalojnë, por të bisedojnë me qytetarët, me familjarët, “Ne do jemi me ju në çdo angazhim tuajin. Ne do jemi prezentë për ti treguar krimit të organizuar që ka kapur shtetin shqiptar, ikni. Shqipëria është vendi i shqiponjave, vendi i njerëzve krenarë”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





