
Në prag të protestës së paralajmëruar të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, reporteri për Shqipërinë Knut Fleckenstein shprehet se protestat janë normale në një vend demokratik, por dialogu për reformat duhet të vijojë.
Sipas tij, protestat në rrugë janë diçka normale, çdo opozite ka të drejtë t’i organizojë ato.
“Nuk mund të përbëjë ky një problem. Lidhur me reformën në drejtësi jam informuar që qeveria dhe partitë politike janë duke debatuar rreth saj. Nuk kemi ende zgjidhje mbi tavoline rreth disa emërimeve në institucionet e reja, por po punohet në vijimësi. Kam besim se fillimi i suksesshëm i reformës në drejtësi do të përbëjë bazën për hapjen e negociatave”, u shpreh Knut Fleckenstein për ‘Klan Plus’.
Protestat e opozitës përkojnë me ftesën që eurodeputetët u kanë drejtuar palëve për tu ulur në një tryezë të përbashkët dialogu në datat 12-13 Shkurt në Tiranë.
Në këtë tryezë pritet të përsëriten mesazhet për konsensus në funksion të reformave që kërkohen për hapjen e negociatave në qershor.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





