Transmetuar më 27-01-2018, 09:41

Po shkojnë drejt përfundimit përgatitjet për protestën e mesditës së sotme të thirrur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në sheshin “Skënderbej” është shpalosur një prej simboleve kryesore të protedtës, portreti gjigant i 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, i cili humbi jetën në landfillin e Sharrës. Protestuesit e cilësojnë të ndjerin, si simbolin e viktimës nga mafia e plehrave.

Fotografia e tij është stampuar në një sipërfaqe 100 metra katrorë me mbishkrimin “Drejtësi për Ardit Gjoklaj”.

Arditi ishte një 17-vjeçar që punonte në landfillin e plehrave në Sharrë. Partia Demokratike akuzon se Bashkia e Tiranës dhe firma e fshehën vrasjen aksidentale të Arditit për te fshehur përgjegjësinë penale dhe morale për vdekjen e Arditit, që punonte në landfill për të siguruar paratë për librat e shkollës.

Po ashtu të rinjtë protestues mbajnë edhe pranga simbolike.

Sakaq një pjesë e protestuesve që vijnë nga rrethet mbajnë me vete targën “AA 003 GB”, targa e makinës ‘Audi’ të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Makina me këtë targë ishte pronë e Saimir Tahirit dhe, sipas opozitës, përdorej nga banda e Habiljave për lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të kanabist që më nëntor 2013, pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet, deri në tetor 2017, kur Antimafia italiane arrestoi bandën. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd