Transmetuar më 27-01-2018, 08:11

Mesditën e sotme mbahet protesta e shumëlajmëruar e opozitës, por Kryeministri Edi Rama duket se e ka mendjen gjetkë.

Tashmë drejt kryeqytetit kanë nisur të mbërrijnë protestuesit nga rrethet, të cilët bashkë me kryeqytetasit do i bashkohen Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit në bulevard.

Por ashtu si çdo mëngjes, edhe këtë të shtunë, Kryeministri Rama ka bërë një postim në Facebook.

Por ai është ndalur tek turizmi, duke publikuar një artikull të mediave irlandeze.

“Mirëmëngjes dhe me këtë artikull të medias irlandeze që e rendit Shqipërinë ndër destinacionet kryesore për të mos u humbur gjatë vitit 2018, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Artikulli i plotë

Gazeta irlandeze “Irish Times”, e ka renditur Shqipërinë si një ndër destinacionet kryesore për t’u vizituar gjatë këtij viti.

Në një shkrim të saj, të titulluar “Vendet më të mira për të udhëtuar në vitin 2018, “Irish Times”, e rendit Shqipërinë në vendin e dytë si një destinacion që ofron shumë dhe kushton lirë.

Do të duhet të udhëtoni nëpërmjet Mançesterit për të arritur atje, por Shqipëria ka plot për të ofruar, thuhet në artikull.

“Nuk është vendi i parë që një familjeje i shkon në mendje, e as i lehtë për t’u arritur – do të duhet të udhëtoni përmes Mançesterit – por është një destinacion i ri. Dhe është shumë më i lirë se Italia ose Kroacia. Plazhet janë të bukura dhe fshatrat janë origjinal”, përshkruan “Irish Times”.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ‘Irish Times’ iu rekomandon turistëve të vizitojnë qytetin mesjetar të Krujës, rrënojat e Apollonisë dhe Beratin, që tashmë është pasuri e UNESCO-s për ish kishat bizantine dhe arkitekturën osmane.

Më tej, në artikull thuhet se transporti është i lirë ndërsa restorante janë të  rekullueshme. Po ashtu edhe akomodimi është mjaft i lirë. “Dhe dielli do të shkëlqejë për ju”, thuhet në artikull. 

Në artikull janë propozuar një sërë destinacionesh, përfshirë ato me buxhet të kufizuar e deri te ato që bëhen një herë në jetë, udhëtimet me familje dhe ato aventureske, dhe Shqipëria renditet e dyta si destinacion i mirë dhe i lirë në Europë. /a.y/noa.al