Transmetuar më 26-01-2018, 21:17

Ai u lidh me faqen “Besa Mafia”, për të vrarë gruan e vet. Bëhet fjalë për një prift amerikan, në Minesota, i cili nga predikues u kthye në një të akuzuar për krimin e rëndë.

Stephen Allwine, 44-vjeçar, është duke u gjykuar për vrasjen e bashkëshortes së tij. Fillimisht ai u lidh me faqen Besa Mafia, ku kontraktoi një vrasës shqiptar, për të bërë të mundur ekzekutimin e gruas së tij, Amy Allwine, 43-vjeçare.

Për të rujtuar reputacionin e tij si predikues fetar, Stephen nuk mund të kërkonte divorc nga gruaja, kështu që vendosi ta vrasë atë pa bërë shumë zhurmë, shkruan Washington Post.

Ai organizoi një plan, duke “prenotuar” vrasjen e bashkëshortes në faqen e intetnetit. Gjithçka duhej të dukej si një aksident.

Pagoi 6 mijë dollarë, pagesën e së cilës e bëri me bitcoin, në mënyrë që vrasësit shqiptarë të mbaronin punë. Burri u dha të gjitha detajet e lëvizjeve të gruas së tij vrasësve me pagese, por vrasja prej tyre nuk ndodhi kurrë.

Kështu, predikuesi e vrau vet gruan e tij, dhe të gjithë skemën e krimit e bëri të dukej si vetëvrasje. Ai e drogoi gruan e tij, dhe më pas e qëlloi me armë, lejen e së cilës e kishte marrë nga autoritetet në muajin gusht.

Amy Allwine u gjet e vdekur më 13 Nëntor 2016 në dyshemenë e dhomës së gjumit me një plumb në kokë. Hetuesit gjetën në telefonin e vrasësit, bisedat e Stephen Allwine me vrasësit virtualë.

Të gjitha konfliktet në cift e deri në dëshirën e tij për të vrarë gruan, nisën pasi Stephen Allwine, ra në kontakt me një faqe interneti “Ashley Madison”, dhe aty nisi të njihte gra të tjera. Aq shumë u përfshi, saqë gruaja e tij i dukej një “pengesë”.

“Ai po shihte gra të tjera, por nuk donte ta divorconte bashkëshorten e tij për shkak të pozicionit të tij në kishë”, tha prokurori Jamie Kreuser në gjyqin e kësaj jave. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd