Transmetuar më 26-01-2018, 17:20

Policia Italiane ka sekuestruar një gomone me rreth 900 kg kanabis sativa, ndërsa në pranga janë vënë dy shtetas shqiptarë.

Sipas mediave italiane, pasditen e djeshme rreth orës 19:00 dy mjete të repartit operativ aeronaval të Guardia di Finanza-s së Barit, pikasën një gomone të fuqishme pranë brigjeve të Pugnochiuso-s dhe u bënë shenjë personave që ishin në bordin e saj të ndalonin. 

Këta të fundit, pasi vunë re se po ndiqeshin, hodhën në det pjesën më të madhe të ngarkesës që ishte në bordin e gomones, ndërsa mjetin lundrues e braktisën në plazh, e më pas ia mbathën. 

Ndërkohë, efektivët arritën gomonen dhe aty gjetën praninë 55 pakove me drogë, të mbështjella me material tipik që përdoret për mbështjelljen e marijuahës. 

Gjithashtu, agjentët vunë në dijeni për arratinë e dy skafistëve kolegët e Guardia di Finanza-s së Foggia-s, të cilët nga ana e tyre nisën një aksion për kapjen e trafikantëve.

Pas një patrullimi edhe me mjete ajrore u bë i mundur identifikimi i vendndodhjes së dy të arratisurve. Ata u gjetën me rroba ende të lagura brenda një vile, pjesë e një kompleksi turistik.

Gomonia, rreth 9 metra e gjatë me dy motorë të fuqishëm u sekuestrua e më tej u dërgua në portin e Vieste (komunë po në provincën Foggia). Skafistët, K.B., 52 vjeç dhe B.A. 39 vjeç, të dy nga Vlora, me precedentë të mëparshëm penal, u arrestuan për trafik ndërkombëtar droge.

55 pakot e marijuhanës të sekuestruara kishin një peshë prej 885 kilogramë, sasi që vlerësohet se nëse do shitej me doza të vogla në vendin fqinjë, do të sillte më shumë se 8 milion euro fitime. Ndërsa, të tjera pako mendohet se kanë humbur në det.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd