






Segmenti i parë i dhjetë kilometrave korsi të dedikuara biçikletash që ka përfunduar është ai në bulevardin “Zogu I”. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga një grup të rinjsh, të apasionuar pas biçikletës, inspektoi punimet e kryera dhe deklaroi se ky është vetëm fillimi i një projekti që do të vazhdojë të shtrihet edhe më tej.
“Më në fund shohim dallëndyshen e parë të projektit prej 10 km korsi. Ky është segmenti i parë, më shumë sesa 1 km, në të gjithë gjatësinë e Bulevardit ‘Zogu I’, një rrugë ekskluzive, ndoshta rruga më romantike për biçikletat, e rrethuar nga pemë, e mbrojtur nga makinat, si kurrë më parë në Tiranë”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se synimi është që brenda një kohe të shkurtër, Tirana të ketë një rrjet minimal korsish të mbrojtura për biçikletat, çka natyrisht do të nxisë edhe më shumë përdorimin e tyre në kryeqytet.
Kryebashkiaku deklaroi se qytetarët duhet të respektojnë sinjalistikën për korsitë e dedikuara.
“Ndryshimi në kulturë është më i rëndësishëm. Kjo që shohim është një korsi ekskluzive për biçikletat, kurse këmbësorët mund të ecin në trotuar, në të dy anët e rrugës. Sa për shoferët, ata kanë tre korsi, për t’i dhënë makinës dhe për të parkuar. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se pronarë makinash në Tiranë janë vetëm 15% e popullsisë, por zënë 95% të rrugëve. Kjo është e padrejtë sepse pronar i rrugës është edhe ai që ka biçikletë, është edhe ai që ecën në këmbë, edhe ai që merr autobusin; pra, pronarë të rrugëve janë të gjithë qytetarët e Tiranës”, u shpreh ai.
Për të ndërgjegjësuar qytetarët të respektojnë sinjalistikën, Veliaj tha se do të angazhohen disa vullnetarë.
Sipas tij, vullnetarët tanë do të tregohen të vëmendshëm për t’i orientuar qytetarët, por do të jenë të rreptë me shoferët, sidomos me ata që nuk respektojnë kthesën e biçikletës, që nuk i japin prioritet çiklistëve teksa dalin nga korsia për të kaluar kryqëzimin.
“Na duhet një sforco nga të gjithë, të tregojmë mirësi dhe dashamirësi për të respektuar një qytet me një milion banorë”, tha Veliaj.
Korsia e biçikletave kalon në trotuarin e mesit në Bulevardin “Zogu I”, fillon në Unazën e Vogël dhe përfundon në Unazën e Mesme në veri. Korsia e biçikletave ka një gjatësi rreth 1.2km vajtje-ardhje dhe gjerësi 2.5 m, me dy sense lëvizjeje. Përveç shtresave të nevojshme asfaltobetonit dhe aksesorëve të tjerë, korsitë e biçikletave janë pajisur me sinjalistikën e duhur për orientimin e kalimtarëve dhe çiklistëve. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





