
Një familje shqiptare, që ka emigruar në Shtetet e Bashkuara para 17 vjetësh, po përballet me agjencinë amerikane të imigracionit e cila ka urdhëruar që Ded Rranxburgaj të deportohet në Shqipëri, pasi ka shkelur ligjet.
Por, kisha Central United Methodist, në qytetin e Detroitit, i ka dalë në mbrojtje familjes shqiptare, dhe po e strehon atë në ambjentet e saj.
Pastorja Jill Zundel, i tha Zërit të Amerikës me telefon nga Detroiti, se kisha vepron sipas ligjit të Jezu Krishtit.
Ded dhe Flora Rranburgaj, erdhën nga Shqipëria 17 vjet më parë dhe u lejuan të qëndronin ndërsa po kërkonin azil politik.
Rasti i tyre nuk u miratua, por në të njëjtën kohë Flora u diagnostikua me sklerozë të shumëfishtë dhe u lejua të qëndrojë për shkak të sëmundjes. Por ajo thotë se ka nevojë për bashkëshortin e saj që të kujdeset për të.
Agjencia për zbatimin e ligjit të emigracionit i udhëzon agjentët e saj të mënjanojnë ato që i quajnë vende sensitive për arrestimin e shkelësve të ligjit, si shkolla apo institucione fetare.
Në kishë, së bashku me çiftin Rranxburgaj jeton edhe djali i tyre 24-vjeçar, i cili ndjek studimet universitare, dhe mbrohet tani nën programin DACA, dhe djali tjetër i tyre 15-vjeçar që është qytetar amerikan.
Data e caktuar për deportimin e tij është 5 shkurti dhe mbetet për tu parë se si do të rrjedhin gjërat. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





