
Puna fizike është e lodhshme, por qëndrimi para kompjuterit për një kohë të gjatë është akoma më e rrezikshme për shëndetin. Këto janë fjalët e ekspertëve amerikanë dhe anglezë, të cilët përmes dy studimeve të ndryshme kanë nxjerrë një listë të problemeve që mund të shfaqen në qoftë se kalohen shumë orë duke punuar në zyrë.
Dhimbjet që shfaqen janë nga ato më të zakonshmet: dhimbje mesi, sysh, këmbësh, tek ato më seriozet dhe të rrezikshme për jetën si infarkti i miokardit.
Sipas një studimi të Departamentit të Shkencave të Shëndetit dhe Shkencave Kardiovaskulare të universitetit “Leicester” në Britaninë e Madhe, femrat janë 88% më të rrezikuara nga infarkti në qoftë se punojnë gjithë ditën para kompjuterit, madje kanë të gjitha gjasat që të zhvillojnë diabetin e tipit 2.
Por krahas këtyre edhe të qëndruarit ulur për një kohë të gjatë dëmton shëndetin tuaj. Gjithmonë këshillohet që pas një ore punë ulur në karrige, të ngriheni në këmbë dhe të çlodheni për 10 minuta. Nëse nuk keni mundësi për ta bërë këtë gjë, ne ju japim disa këshilla sesi ta mbroni shëndetin tuaj, kur qëndroni ulur për një kohë të gjatë.
1. Mos i kryqëzoni këmbët kur qëndroni ulur- Kjo mënyrë, vështirëson qarkullimin e gjakut, dhe shkakton dhimbje në pjesën e pulpës së këmbës.
2. Mos qëndroni shtrirë në karrige- Nëse e keni të nevojshëm, merrni një jastëk të vogël që nuk duket shumë dhe vendoseni pas shpinës, në mënyrë që të mos ndjeni dhimbje shpine.
3. Mënyra si i vendosni duart në tavolinë ka rëndësi- Mos i zgjasni duart duke punuar shtrirë, pasi më pas do të ndjeni dhimbje.
4. Dhimbja e qafës mund të evitohet duke punuar drejt në kompjuter- Mos qëndroni e kërrusur apo e shtrirë.
5. Nëse ndjeni dhimbje apo lodhje të syrit është koha që të vizitoheni tek një mjek për të vënë qoftë edhe syze qetësuese./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





