Transmetuar më 24-01-2018, 19:20

Monika Kryemadhi vijon takimet me strukturat e LSI-së, pak ditë nga protesta e 27 janarit.

Këtë pasdite, kryetarja e LSI-së akuzoi kryeministrin Rama se u ka marrë shqiptarëve 100 milionë euro.

Ajo kërkoi që secili të dalë dhe të protestojë, pasi arsyet për ta bërë një gjë të tillë janë të shumta dhe duhet reagim.

“Sot shqiptarëve ju janë vjedhur 100 milion euro të tjera. Qeveria dhe kompania turke kanë bërë një kontratë që është në kurriz të shqiptarëve.

Ka pafundësisht probleme dhe arsye që të dalim në 27 janar për të protestuar. Gratë kanë një arsye më të madhe për të protestuar, pasi të gjithë të rinjtë po largohen dhe kjo është një gjë shumë e dhimbshme”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi se “çdo minutë që na ka ngelur deri të shtunën, duhet ta përdorim për të lajmëruar çdo shqiptar që të dal në protestë”. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd