Transmetuar më 24-01-2018, 17:29

Drejtuesi  i Departamentit të Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha në një dalje për mediat se “një nga peshqit e mëdhenj të krimit, është liruar nga burgu”.

Sipas tij, miku i Edi Ramës dhe Blendi Klosit, Durim Keçi, është liruar sepse i ka shërbyer kryeministrit në çdo zgjedhje.

“Një tjetër kriminel i rrezikshëm është jashtë dyerve të burgut. Durim Keçi, një nga peshqit e krimit, mik i Edi Ramës dhe Blendi Klosit, është liruar nga burgu. Me shumë gjasë, ai nuk do të ekstradohet në Itali, ku është dënuar për trafik drogë dhe prostitucioni”, tha Alibejaj.

Sipas deputetit të PD-së, një gjë e tillë ishte paralajmëruar muaj më parë nga opozita.

“Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e paralajëmroi që në tetor se Durim Keçi do t’i shpëtonte drejtësisë, sepse kishte mik kryeministrin Edi Rama dhe i ka shërbyer atij në çdo palë zgjedhje. Në tetor, Lulzim Basha bëri të njohur ekzistencën e tabulateve telefonike të Edi Ramës me Durrim Keçin, të cilit i garantoi mosekstradimin”, nënvizoi Alibeaj.

Ai akuzon Ramën se ka kapur Prokurorinë e Përgjithshme, duke renditur disa fakte sipas tij që e vërtetojnë diçka të tillë.

"Që kur Edi Rama emëroi Prokurorin e Përgjithshëm pa vetting dhe në kundërshtim me kushtetutën:

-Saimir Tahirit iu kthye pasaporta dhe ai mund të lëvizë I lirë kudo ku ka fshehur paratë e fituara nga trafiku I drogës.

-Trafikantëve të kokainës së Xibrakës iu ul dënimi dhe prokuroria nuk e ankimoi vendimin. 

-Balilajve iu rikthye nga Gjykata leja për policinë private, që do të thotë një ushtri e armatosur me njerëz në mbrojtje të Kelment Balilit”, tha Alibeaj. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd