Transmetuar më 22-01-2018, 15:56

Në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Fakulteti i Edukimit në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, organizoi simpoziumin me temë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe identiteti kombëtar shqiptar”.

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe bashkinë Durrës.

Fjala përshëndetëse në çelje të këtij aktiviteti të rëndësishëm u mbajt nga Rektorja e universitetit “Aleksandër Moisiu”, e cila ndër të tjera theksoi se: “fjalët e fundit të lëna si testament nga Gjergj Kastrioti, duhet të shërbejnë si udhërrëfyese për rrugën e progresit që duhet të ndjekë kombi shqiptar”.

I ftuar nderi në aktivitet ishte Prof. Dr. Moikom Zeqo, i cili i kushtoi rëndësi paraqitjes së figurës së Skënderbeut si një hero semantik evropian. “

“Ky personalitet i rëndësishëm”, – pohoi Prof. Dr. Moikom Zeqo, – ka luajtur një rol themelor jo vetëm në historinë shqiptare, por njëherazi në atë evropiane”.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Prof. As. Dr. Jani Sota solli përmes një analize krahasimtare një analogji mes figurës së Skënderbeut dhe figurave më të rëndësishme të historisë së përbotshme, duke theksuar idenë se dimensionet e shfaqjes së kësaj figure, janë të shumanshme.

E njëjta ide u shpreh nga drejtori i Drejtorisë për Arsim, Kulturë, Rini dhe Komunitete fetare pranë bashkisë Durrës, Ardian Gurra, i cili për më tepër sqaroi se jo vetëm historia, por dhe e sotmja i detyrohen shumë Skënderbeut".

“Për më tepër, – pohoi drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Dr. Ledjon Lako, – uniteti kombëtar shqiptar e ka gurin e themelit në kohën e Skënderbeut. Është meritë e tij, bashkimi i shqiptarëve në një flamur, dukuri kjo e pazakontë për kohën mesjetare”.

Në një tjetër qasje paraqitet kumtesa e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Dr. Ardit Bido, i cili edhe pse thekson nevojën e çmitizimit të figurës së Skënderbeut, shpreh kujdesin që duhet treguar për të shmangur rrezikun që vjen nga lidhja e gabuar e kësaj figure vetëm me një besim të caktuar fetar.

Dr. Lorenc Agalliu, specialist në Drejtorinë Rajonale e Arkivit Shtetëror Durrës, e vuri theksin në imazhin e prezantimit të figurës së Skënderbeut, si një marrëdhënie mes mitit dhe realitetit.

Në përfundim të simpoziumit shkencor, pjesëmarrësit u ftuan të ndjekin ekspozitën me temë “Skënderbeu në dokumentet arkivore”, një bashkëpunim mes Fakultetit të Edukimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. /noa.al/