Transmetuar më 21-01-2018, 15:09

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një takim me strukturat e partisë në Fier mesditën e sotme, tha se në 27 janar protestohet për mijëra shqiptarë që ndihen shumë keq ekonomikisht dhe shpirtërisht nga qeveria që po shkreton Shqipërinë.

Ajo tha se më shumë se naftëtarët e Fierit për të protestuar më datë 27 janar nuk ka, për të vetmen arsye duke pasur parasysh mashtrimin që i është bërë prej një viti naftëtarëve sipas saj, duke i thënë që do të merrni pagat e munguara.

Kryemadhi deklaroi se, jo vetëm që nuk kanë marrë pagat dhe hakun e punës së tyre por nuk kanë marrë as sigurimet të cilat i kanë pasur të domosdoshme dhe që kanë qenë të nevojshme për tu paguar, për tu njohur vjetërsinë e tyre në punë.

"Dëgjon rëndomtë deklarimet politike të PS sesi i premtohej naftëtarëve, se do të merrnin pagat e tyre, se nuk ishte zgjidhur çështja e naftëtarëve dhe më pas në 15 korrik të gjithë ata u hodhën në rrugë me mashtrime dhe duke mos u paguar. Pra ka ardhur koha për tu zgjuar dhe për të dalë nga lista që klasa politike vendos grupe interesi për ti mashtruar, për ti gënjyer thjesht në këmbim të votës dhe thjesht në kuadrin e një fushate elektrorale që zgjat vetëm 30 ditë”, deklaroi ajo.

Sipas saj, të vetmen frikë që ka qeveria është fryma nga protestuesit, ndaj i ftoi fierakët të bëhen pjesë e saj.

“E them me bindje të plotë do të jetë një nga protestat më të mëdha që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në opozitë, në gjithë periudhën e tranzicionit. Sepse është një protestë që nuk ka të bëjë as me flamurin e LSI as me flamurin e PD por me ndërgjegjësimin e gjithë shqiptarëve”, deklaroi kryetarja e LSI.

Në këtë linjë shtoi se nuk beson se ka sot ndonjë demokrat apo të LSI, që edhe çdo biznes sot qoftë i madh apo i vogël apo i mesëm, të ndihet më mirë dhe ta ketë situatën ekonomike më mirë.

Sipas Kryemadhit, data 27 janar do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për të vendosur përballë flamurit të mashtrimit dhe fasadës së mashtrimit që ka ngritur rilindja në Shqipëri, për të vendosur të gjithë ata njerëz të cilët sot ndihen më të varfër, më të pa përfaqësuar, më të lodhur më të zhgënjyer dhe ndihen më keq jo vetëm ekonomikisht por edhe shpirtërisht.

“Sot ne shikojmë sesi politizohet i gjithë segmenti shtetëror, e gjithë shëndetësia,arsimi , bujqësia me të vetmen arsye nëse duhet të tundësh teserën e rilindjes dhe do të kesh një shërbim nga qeveria shqiptare.Prandaj ne themi që njerëzit në 27 janar do të dalin për të protestuar për të qenë të barbartë, sepse shteti është i barabartë, Shqipëria është e barabartë për të gjithë”, tha ndër të tjera ajo.

Kryemadhi deklaroi se ekonomia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, drejtësia, arsimi po ashtu dhe duhet tu ofrohet të gjithëve.

Në këtë linjë tha se futja e skemës së TVSH-së për bizneset e vogla është vdekjeprurëse për ta.

Kryetarja e LSI deklaroi, se pjesa më e madhe e të punësuarve në Shqipëri vjen si rezultat i vetëpunësimeve dhe Shqipëria mban vendin e parë në Europë për vetëpunësimin.

“Vendosja e skemës së TVSH-së nuk ka të bëjë me formalizimin e ekonomisë por për të futur në bizneset e vogla në skemën e TVSH-së në mënyrë që ato të shkojnë drejt falimentimit. Jo për të falimentuar ato por për ti detyruar që të futen në një proces që ti përfshihen në pjesën e një skeme tjetër që shumë shpejt brenda vitit do të dëgjoni sesi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të thotë ne nuk kemi fuqi që të mbledhim TVSH te 100 e ca mijë biznese të vogla. Dhe do të kërkojë që dhe mbledhjen e TVSH-së ta japi me konçension në mënyrë të tillë që të bëjë dhe këtu një aferë tjetër korruptive siç bëri me konçension shëndetësinë, rrugët, tashmë edhe sigurinë ushqimore që kërkon ta jap”, deklaroi ajo. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd