




Lulzim Basha thotë se protesta e 27 janarit është bashkimi i shqiptarëve kundër padrejtësisë, kundër varfërisë, kundër aleancës së qeverisë me krimin, si nëna e të gjithë të këqijave.
Në vijim të takimeve për përgatitjen e protestës, ai u takua me tregtarë të mishit në Pogradec të cilët u ankuan se vendimi e qeverisë për mbylljen dhe përqendrimin e thertoreve në pak pika ka rritur çmimin e mishit, duke ndikuar në uljen e fitimit dhe rritjen e kostos për qytetarët.
Tregtarët folën për rënie të punës, mbylljen e bizneseve dhe shprehën kundërshtimin e tyre për vendosjen e tvsh-së për biznesin e vogël.
Ata ndanë shqetësimin e papunësisë, veçanërisht mes të rinjve, për të cilët alternativë e vetme është punësimi sezonal në Greqi.
Kryedemokrati i ftoi pogradecarët në protestën e së shtunës duke thënë, “Kundër padrejtësisë dhe kundër varfërisë e kemi protestën dhe kundër aleancës së qeverisë me krimin.”
Sakaq në takimin me demokratët e Pogradecit në 27 vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike. Basha tha se pas gati tre dekadash diktatura ideologjike është zëvendësuar me diktaturën e krimit të organizuar.
Kreu i opozitës shtoi se qeveria aktuale nuk është maxhoranca reale, por krahu politik i përfaqësuesve të klaneve të krimit dhe drogës, Shullazit, Xhafajve, Habiljave, Baliljave.
Basha deklaroi se për shkak të aleancës së qeverisë me krimin, Edi Rama sipas tij, nuk jep llogari para qytetarëve dhe punon kundër interesit të tyre.
“Do të blejë 400 milionë makina luksi për veten e tij. Ka harxhuar 300 milionë euro për zyra, për udhëtime luksi dhe nuk gjen para për të blerë ilaçet për të sëmurët, nuk gjen para për të rritur pensionet siç ka premtuar 100 mijë lekë çdo vit”, tha Basha
Kreu i opozitës u shpreh se protesta e 27 janarit është një mundësi për qytetarët për të ngritur zërin kundër padrejtësive, për të ndryshuar gjendjen e tyre përmes ndryshimit të qeverisjen e vendit dhe për të hapur një rrugë të re për Shqipërinë.
“Nëse je i papunë dhe po mendon të largohesh, mos u largo! Eja me ne në sheshin e protestës! Nëse je i ri dhe nuk gjen dot punë, mos e ul kokën, por bashkohu me ne në sheshin e protestës! Ta nisim ndryshimin e madh ditën e shtunë me 27 janar për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, dekalroi Lulzim Basha.
Kreu i PD shprehu bindjen se një qeveri që punon për qytetarët dhe jo për një grusht njerëzish afër kryeministrit ka mundësitë të lehtësoje të pamundurit nga faturat e ujit dhe e dritave, të ulë çmimin e naftës, të ulë taksat dhe të investojë për hapjen e vendeve të reja të punës. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





