Transmetuar më 19-01-2018, 18:34

Në një kohë që të paktën 19 fëmijë të prekur nga virusi i Fruthit, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino e ftuar në rubrikën ‘opinion" në News24 është shprehur se nuk vend për panik, pasi nuk kemi të bëjmë me një epidemi. Por ajo që vihet në dukje është fakti se 70% e të prekurve janë fëmijë të cilët nuk janë vaksinuar kundër fruthit.

Arsyeja kryesore e mosvaksinimit lidhet me frikën e prindërve të tyre se kryerja e vaksinës MMR shkakton autizëm. Këto teori janë hedhur poshtë vitet e fundit pas zbulimit nga shkencëtarët se fëmijët e prekur nga sëmundja e autizmit kishin sasi të madhe mërkuri në trup, duke hedhur hipoteza se vaksina që bëhet në moshën 1 vjeç, MMR është një faktor ndikues pasi ka përmbajtje mërkuri.

E në mes të këtyre dyshimeve, specialistja e ISHP-së shprehet se nga studimet e fundit në këtë drejtim nuk është faktuar që kjo vaksinë lidhet me autizëm.

"Një nga studimet më të rëndësishme i kryer në vitin 2015 që vëzhgoi fëmijët me autizëm dhe vëllezërit dhe motrat e tyre, doli në konkluzionin se vaksina s’kishte lidhje me autizmin. Shumë institucione ndërkombëtare siç është edhe Instituti amerikan i Mjekësisë konfirmojnë të njëjtën gjë", tha Bino.

Por mjekja bëri edhe një njoftim të rëndësishëm për të gjithë prindërit që mendonin se shtyrja e vaksinës minimizonte rrezikun e mundshëm të prekjes nga autizmi, duke thënë se shtyrja e vaksinës nuk ka asnjë lloj vlere. Ky është një mit. “Prindër me nivel të caktuar intelektual mendojnë që ushqyerja dhe veshja e mirë ndihmojnë, por ja që rasti tregoi se nuk është tamam ashtu”, shtoi ajo.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd