Transmetuar më 18-01-2018, 14:31

Një person në Tiranë, ka hipur në një shtyllë të tensionit të lartë mesditën e sotme dhe kërcënon se do hidhet nga aty. 

Rreth orës 13:10 të mesditës së sotme, policia është njoftuar se në Lundër shtetasi Skënder Doda ka hipur në shtyllën e një tensioni të lartë dhe tenton të dëmtojë veten.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë, ambulanca dhe zjarrfikësja. Dhe kur ka kaluar më shumë se një orë nga qëndrimi i tij mbi shtyllën e tensionit, Doda ka folur për mediat përmes një lidhje telefonike duke sqaruar edhe arsyet që e kanë detyruar të ndërmarrë këtë veprim.

“Më ka detyruar të marr këtë veprim për arsye se po më cënohet prona private dhe ka dy muaj që kam kërkuar një projekt të detajuar për këtë rrugë edhe nuk më është dhënë as projekt dhe as tabelë rruge. Tani kanë filluar të punojnë në pronën time. 

Është rrugë që bëhet në pronën time, pa asnjë dokument dhe pa asnjë shkresë. Nuk mund të flas më shumë pasi jam në rrezik. Po negocion shefi i komisariatit. Në momentin që do të ketë një zgjidhje unë do të zbres. Firma ndërtuese po më prish shtëpinë”, shprehet Doda teksa qëndron i hipur mbi shtyllë. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd