Transmetuar më 18-01-2018, 07:26

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha se do ti drejtohet këtë të enjte me një letër informuese ambasadorëve në vendin tonë dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare lidhur me propozimin e opozitës për amendimin e Kushtetutës në mënyrën sesi zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm.

E ftuar në intervistën e mbrëmjes së të mërkurës në Ora News, Kryemadhi tha se nuk beson që ambasadorët të kenë kërkuar shkeljen e Kushtetutës nga Kuvendi për Kryeprokuroren.

“Sot kam hartuar një letër që nesër do tua dërgoj të gjithë ambasadorëve të BE dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare për tu bërë të qartë kërkesat që ne si opozitë kemi paraqitur. Jemi rakorduar dhe me PD që edhe ata të informojnë Ambasadorët e BE në Shqipëri dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Është me rëndësi ti njohim me realitetin. E kemi në Kushtetutë që prokurori zgjidhet me 84 vota dhe me konsensus. Interpretimi ka qenë i Euralius dhe jo OBDAT. Ka qenë një letër individuale e Ulsi Manjas, jo si kryetar i Komisionit të Ligjeve. Qëndrimi publik i Ambasadori amerikan ka qenë për largimin e prokurorit. Nuk besoj se Ambasadori amerikan do ti kërkojë Kuvendit të shkelë Kushtetutën. Kemi qenë të gatshëm dhe i kemi ofruar gjithmonë bashkëpunimin tonë si opozitë për të zgjidhur këto ngërçe kushtetuese që janë. Reforma në drejtësi nuk është vetëm për hallexhinjtë, së pari është për politikanët.” tha ajo.

Më tej Kryemadhi shtoi se Rama pa lexuar fare propozimin deklaroi se është kundër.

“Të hënën kryeministri Rama pa lexuar fare çfarë kishte propozuar opozita ktheu një përgjigje dhe tha ne nuk e zbatojmë. Nuk ka asgjë konspirative. Nëse ndryshimet kushtetuese që kemi miratuar me 140 vota por mazhoranca kërkon ti ozurpojë dhe rrëmbejë është e kotë të flasësh”, u shpreh Kryetarja e LSI-së.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd