Transmetuar më 16-01-2018, 17:09

Akt i rëndë, me prapavijë politike. Kështu e ka quajtur ish-Kryeministri Sali Berisha, vrasjen e Oliver Ivanoviç.

Me anë të një reagimi në facebook, Berisha nuk heziton të përmendë edhe organizata terroriste, të cilat sipas tij fshihen pas ngjarjes së rëndë.

"Vrasja e Oliver Ivanoviç, një akt i rëndë dhe i dënueshëm me prapavijë politike!

Duke dënuar ashpërsisht këtë akt kriminal dhe shprehur ngushëllimet autoriteteve të Kosovës dhe familjarëve të të ndjerit Oliver Ivanoviç, theksoj se ekzekutimi i tij para derës së selisë së partisë së tij, dhe pikërisht ditën e hapjes se dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, të lë të kuptohet se pas këtij akti të shëmtuar kriminal qëndrojnë organizata terroriste ultranacionaliste serbe të llojit Dora e Zezë, që janë organizuar këto vitet e fundit dhe kanë krye akte të rënda kriminale”, shkruan Berisha.

Ai shpreh bindjen për kapjen sa më parë të autorëve.

“Urojmë që autoritetet e Kosovës të vendosin sa më parë para ligjit sponsorizuesit, organizatorët dhe ekzekutorët e këtij akti të shëmtuar”, e mbyll reagimin ish-Kryeministri. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd