Transmetuar më 16-01-2018, 17:04

Për partinë Demokratike, Vettingu i nisur në polici nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është thjesht propagandë.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha se publikimi në disa media i lidhjeve të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe disa zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit me trafikun e drogës, janë fakte të reja që provojnë se në polici nuk po ndodh Vetting, por zëvendësimi i një kupole mafioze me një tjetër. 

“Sipas raportit zyrtar të shërbimit sekret, 128 oficerë policie, përfshirë edhe drejtues të lartë të saj, kanë marrë pjesë dhe kanë përfituar nga trafiku i kanabisit. Deri tani nuk është bërë publike asnjë masë e marrë ndaj tyre, ndërsa tre drejtues të policisë në qarqe, të akuzuar për lidhje me Habilajt dhe Tahirin, janë në arrati.

Urdhri i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për pezullimin e oficerit të përfshirë në trafikun e kokainës është veç një nga masat propagandistike, sepse media raporton se Julian Balliu është arratisur, njësoj si tre drejtuesit e tjerë të lartë të policisë”, u shpreh Ristani.

Sipas tij në polici po ndodh rokada nga Habilajt tek Xhafajt, ndërsa shton se pezullimi nga Fatmir Xhafaj është propagandë, njësoj si vettingu që thotë se do të bëjë në polici vëllai i Agron Xhafës, që është dënuar për trafik ndërkombëtar kokaine.

Partia Demokratike thotë se pa largimin e Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës, si koka që mbron krimin e organizuar në Shqipëri, nuk do të ketë vetting të vërtetë në polici dhe as rend dhe siguri për shqiptarët. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd