Transmetuar më 16-01-2018, 14:39

Politikani serb i Kosovës Oliver Ivanoviç u vra para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore mëngjesin e sotëm rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska”.

Policia njoftoi se vdekja e Ivanoviçit u konstatua në spitalin e Mitrovicës, ndërsa forcat e rendit kanë lokalizuar një makinë të cilës i është vënë flaka si të lidhur me ngjarjen. 

Hetimet vazhdojnë, policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur autorin/ët e kësaj vepre kriminale. 

Madje për identifikimin sa më të shpejtë të autorit të këtij akti kriminal, policia kërkon ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit t’a ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofron një shpërblim prej 10.000 euro (dhjetëmijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacion të cilat shpien në zbardhjen ose zbulimin e tij.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund ato t’i dërgojnë në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose 192, dhe e-mail: [email protected].

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët, dhe policia do ta ruaj striktë të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit në këta numra telefoni dhe në këtë e-mail adresë, përveçse nëse personat vetë, vullnetarisht deklarohen ndryshe./b.l/noa.al/