Transmetuar më 16-01-2018, 13:33

Nëse ende nuk keni gjetur një punë në sektorin e shëndetësisë, tashmë keni fatin që të aplikoni për një nga vendet e lira që janë hapur në shëndetësi.

Në portalin zyrtar ju mund të shikoni hapësirat e lira si dhe të aplikoni nëse përmbushni kriteret.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpalli sot afatet e aplikimit për pozicionet e punës infermier, fizioterapist dhe teknik imazherie në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike në platformën www.inferimierepershqiperine.al.

Aplikimet do të mbyllen me datë 1 shkurt. Sipas ministrisë, nga sot ka vetëm një mundësi punësimi si infermiere qendrat shëndetësore dhe spitalet publike- Portali "Infermierë për Shqipërinë". Kjo dritare e re do të ofrojë mundësi punësimi reale sipas një sistemi transparent.

Por si do të funksionojë kjo platformë? Çdo i interesuar mund të klikojë www.infermierepershqiperine.al

Ju nevojiten vetëm 4 hapa për të aplikuar: Regjistrohu, ngarko dokumentet, kërko vendet vakante dhe apliko.

Aplikimi kryhet për vendet e lira në bazë qarku. Pra ju mund të aplikoni për të gjitha vendet e lira në qark për pozicionet e punës në qendra shëndetësore apo në spitale. Pas aplikimit bëhet vlerësimi i dosjes dhe kandidatët që e kalojnë këtë fazë të parë, njoftohen për testimin me shkrim. Shpallja e datave të testimit bëhet publike në Platformë dhe kandidatët njoftohen elektronikisht për datën dhe vendin e testimit.

Testimi do të ketë dy pjesë:

– Pyetje rreth bazës ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor, çështjet që lidhen me etikën dhe komunikimin e infermierëve (20 pikë);

–  Pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe specialiteteve (50 pikë).

Pas testimit, pikët e grumbulluara për secilin aplikant shpallen në Platformë në rubrikën Shpallje dhe fituesit lajmërohen për të ndjekur procedurën për punësim sipas renditjes në listën e shpallur për çdo QARK. Në bazë të renditjes së shpallur kush merr më shumë pikë do të ketë mundësinë e zgjedhjes për punësim në shërbimet e kujdesit parësor apo Spitalor. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd