Transmetuar më 11-01-2018, 12:54

Në 21 mars, në Ditën Botërore të Pyjeve, Bashkia e Tiranës do të organizojë një aksion mbarëqytetar për mbjelljen e mbi 100 mijë pemëve të reja, të cilat janë pjesë e projektit të Pyllit Orbital. 

Kryebashkiaku Erion Veliaj fton të gjithë qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen kësaj nisme, e cila ka nisur prej pak javësh, por që do të kulmojë në 21 mars. Gjithashtu, çdo datë e shënuar, si 17 Janari, në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, apo 14 Shkurti, Dita e të Dashuruarve, e festa e nënës dhe mësuesit në 7-8 Mars, do të jenë një mundësi e re për të mbjellë sa më shumë pemë në Tiranë.

Në Unazën e Madhe, te mbikalimi i Saukut, u mbollën edhe 200 pemë të reja. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi donatorët që iu bashkuan nismës së bashkisë dhe theksoi se Pylli Orbital ka nisur ta lërë gjurmën e tij në pjesën lindore të Unazës. 

“Jam shumë i lumtur që vazhdojmë me mbjelljet për këtë vit të ri dhe besoj që 2018 do të na gjejë me rekordin tonë të 100 mijë pemëve. Vazhdojmë me 200 pemë të reja në një segment tjetër të pjesës jugore të Unazës së Tiranës dhe besoj që derisa të shkojmë në zonën e Lundrës, do të kemi gjelbëruar të dy krahët e autostradës, për atë që do të jetë etaloni i Pyllit Orbital, i cili do të vazhdojë në të gjitha segmentet e Tiranës”, tha ai.

Veliaj tha se 21 Marsi, Dita Botërore e Pyjeve, është jo vetëm dita kur do të vendoset rekordi i mbjelljeve në Tiranë, por edhe si një ditë aksioni ku ftohen të gjithë qytetarët dhe bizneset që të bëhen pjesë dhe të kontribuojnë në gjelbërimin e qytetit. 

Ai shtoi se ky aksion është një mundësi e mirë për këdo që do të kontribuojë për një qytet më të pastër dhe të gjelbër, por edhe të përjetësojë një moment apo një ngjarje të rëndësishme të jetës së tij. /b.l/noa.al/