Transmetuar më 11-01-2018, 09:06

Bashkim Fino, sipas të gjitha gjasave, do të jetë një nga kandidatët për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit në zgjedhjet e 7 shkurtit dhe rrjedhimisht, rivali kryesor i Armando Dukës për këtë post.

Asnjëri prej të dyve nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën, por deputeti i Partisë Socialiste pritet ta bëjë sot në mbrëmje. Ai është i ftuar në “Rubrikën Sportive” në RTSH dhe burime pranë Partisë Socialiste bëjnë me dije se Fino do ta shpallë aty kandidaturën. Nëse ndodh kjo, atëherë do t’i duhet të heqë dorë nga funksionet politike si dhe nga

mandati i deputetit.

ÇFARË THOTË STATUTI I FSHF-SË

Në pikën tre të nenit 1 të statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit thuhet: “Federata është asnjanëse në çështjet politike dhe fetare.”

Rrjedhimisht, Bashkim Fino, si deputet i zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste, do t’i duhet të lërë mandatin e deputetit dhe të mund të shpresojë që të marrë 34 ose më shumë vota në Asamblenë Zgjedhore, që do të zhvillohet më 7 shkurt të këtij viti në mënyrë që

të fitojë edhe të drejtën për të ushtruar detyrën e Presidentit të FSHF-së.

Megjithatë, kjo pikë e rregullores mund të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë nëse Fino zyrtarizon kërkesën. Aktualisht, ishkryeministri i Shqipërisë në periudhën 25 qershor 1997 deri më 23 prill 1998, Fino mban gjithashtu edhe postin e Sekretarit Organizativ të PS-së.

I pyetur nga “Panorama Sport” pak javë më parë në lidhje me kandidimin e mundshëm apo jo, ish-kryeministri la gjithçka të hapur.

Ai nuk e pohoi se do ta ndërmerrte një hap të tillë, por as e mohoi mundësinë për të qenë rival i Dukës në këto zgjedhje.

“Nuk është koha e duhur për t’u prononcuar në lidhje me këtë çështje. Është shumë shpejt”, ishte deklarata e shkurtër e tij. Lidhja e Finos me sportin është e njohur në vendin tonë, qoftë për simpatinë që ka me skuadrën e Partizanit, apo edhe simbolikisht, kur disa vite më parë ishte pjesë e skuadrës së politikanëve në organizimet dhe ndeshjet me karakter festiv.

REPLIKA- Në një intervistë të dhënë së fundmi nga Armand Duka në “Top Channel”, emri i Finos u lakua lidhur edhe me partinë, në të cilën ai është deputet.

Duka, ndër të tjera, u shpreh se, nëse ai do të jetë kandidat, duhet të zyrtarizohet nga selia e Partisë Socialiste.

Për “Panorama Sport”, ish-kryeministri Fino i ka kujtuar Dukës mbështetjen e Partisë Socialiste në të shkuarën dhe i ka bërë apel që të lërë mënjanë sarkazmin. “Me sa di unë, ishte në kuadrin e sarkazmit”, tha Fino. Megjithatë, unë mund të them se, meqenëse e

kam mik, Duka duhet ta kursente sarkazmin me Partinë Socialiste sepse PS-ja i ka bërë nder. Gjithashtu, duhet ta kursente sarkazmin edhe me emrin tim, Bashkim Fino.”