




Projekti i Bashkisë së Tiranës për Pyllin Orbital, i cili do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë, ka gjetur mbështetjen edhe të agjencive të njohura financiare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Kooperacionit Italian, Nino Merolla, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për financimin e të gjithë projektit të Pyllit Orbital për gjelbërimin e 23 zonave të ndryshme në kryeqytet, duke zgjeruar hapësirat e gjelbra për qytetarët e Tiranës dhe kontribuar për një mjedis më të pastër.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se falë këtij financimi, deri në vitin 2030, Tirana do të ketë 2 milionë pemë të reja.
“Është një projekt që e kemi pasur ëndërr, një dëshirë shumë të madhe pas përfundimit të Planit Urbanistik të Tiranës, por tani ka ardhur koha që ta bëjmë realitet. Po bëjmë realitet disa nga projektet bazë, por ideja që do t’i mbijetojë mandatit tonë në bashki, por ndoshta edhe jetës sonë, është ajo e Pyllit Orbital. Ndaj jam shumë entuziast që me ndihmën e Kooperacionit italian sapo kemi firmosur financimin për projektin e Pyllit Orbital, e cila do të prodhojë rezultate konkrete të 23 zonave që do të gjelbërohen falë këtij projekti”, tha Veliaj.
Teksa renditi një sërë projektesh të rëndësishme mes Bashkisë së Tiranës dhe disa qyteteve italiane, Veliaj nënvizoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një tullë mbi një raport fantastik që Shqipëria ka me Italinë, por sidomos Tirana me qytetet italiane, duke sjellë përfitime për qytetarët.
“Kjo e sotmja është një tullë mbi një raport fantastik dhe ideal që Shqipëria ka me Italinë, por sidomos Tirana me qytetet italiane, nga e cila ka buruar dhe gjithë ky bashkëpunim, që po përkthehet në mënyrë ditore, në të mira publike, në përfitim të qytetarëve”, deklaroi Veliaj.
Projekti për Pyllin Orbital parashikon shtimin e gjelbërimit jo vetëm në periferi të qytetit, por njëkohësisht edhe brenda zonave urbane. “Mezi pres që pasi kjo firmë të hyjë në fuqi, të fillojmë kontraktimin e atyre që do të na prodhojnë projektin dhe besoj që deri në vitin 2030 do të kemi në qytetin e Tiranës më shumë pemë se ç’kemi trashëguar kur e morëm detyrën në këtë qytet. Jo vetëm në periferi ku tashmë kemi filluar, por edhe në zonat urbane të Tiranës, do të jetë produkt i këtij financimi të Kooperacionit italian për të cilin unë jam shumë mirënjohës”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë ftoi qytetarët dhe institucionet e ndryshme private dhe shtetërore që t’i bashkohen kësaj nisme, duke kontribuar për mbjelljen e pemëve të reja, ndërsa shprehu bindjen se deri në fund të sezonit të mbjelljeve këtë vit, Tiranës do i jenë shtuar mbi 100 mijë pemë.
Drejtori i Kooperacionit Italian, Nino Merolla u shpreh se realizimi i këtij projekti do ta transformojnë Tiranën në një qytet modern europian, duke e shndërruar në shembullin më të mirë se përmes punës këmbëngulëse, arrihen rezultate të larta. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





