
Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar rreth operacionit për kapjen e një gomoneje, skafistët e së cilës nuk iu bundë urdhrit të policisë për të ndaluar.
Pas disa orë ndjekjesh në det të hapur, mjeti lundrues ende nuk është kapur, edhe pse në aksion janë përfshirë Delta Forcë, Policia Kufitare, një helikopter i Forcave të Armatosura dhe autoritetet italiane.
Sipas të dhënave, nga kqyrja që i është bërë gomones nga ajri, në të janë vënë re tre persona dhe disa bidona plastikë.
Dyshohet se gomonia, me dy motorrë të fuqishëm, do merrte lëndën narkotike në Sazan me qëllim trafikimin në drejtim të Italisë.
Nga krehja e zonës në gadishullin e Karaburunit, në vendin e quajtur "Bristan", midis shkëmbinjve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28 kilogramë lëndë narkotike të ndarë në 5 pako.
Gomonia u konstatua rreth orës 13.50, dhe lëviste me shpejtësi në drejtim të
Mezo-kanalit, Sazan.
Menjëherë në ndjekje janë vënë 3 mjete lundruese të Policisë Kufitare dhe të Delta Forcë.
Eshtë kërkuar ndihma e anijës "Oriku" dhe e Helikopterit të FA-së. Gjithashtu është njoftuar GdF Durrës e Vlorë, si dhe homologët Italianë, sqaron policia.
Menjëherë është ngritur në fluturim një helikopter "COUGAR" i FA-së, i cili ka ndjekur në ujrat neutrale për rreth 1 orë gomonen që lëviste me shpejtësi, duke bërë manovra në det me qëllim t’i shmangej ndjekjes së helikopterit.
“Deri tani nuk është bërë e mundur kapja e gomones, pasi dyshohet se është fshehur në ndonje gji bregdetar, në ujrat territoriale midis Malit të Zi dhe Kroacisë, por vijon kërkimi nga ajri nga GdF. Gjithashtu është vënë në ndjekje edhe Policia malazeze”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





