Transmetuar më 04-01-2018, 08:56

Pas ditëve me diell që na shoqëruan në ndërrimin e viteve sot janë rikthyer krahas shiut edhe reshjet e dëborës, duke shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit. 

Qarku i Dibrës është përfshirë nga një mot i ftohtë dhe me reshje të dendura dëbore gjatë natës së kaluar. Mësohet se dëbora arrin deri në 50 centimetra në disa zona, duke sjellë probleme në qarkullim.

Trashësia e dëborës ka bllokuar disa rrugë, siç janë ato që të çojnë në Kalanë e Dodës, në Selishtë, Lurë, etj duke izoluar fshatrat. Ndërkohë, rruga nacionale nuk ka paraqitur ende asnjë problem, ndërsa në orët e para të mëngjesit reshjet janë ndalur.

Po ashtu edhe i gjithë qarku i Korçës është zgjuar i mbuluar nga bora. Reshjet intensive kanë bërë që trashësia e borës të arrijë deri 25 cm në fshatin turistik të Dardhës dhe në qafën e Qarrit. 

Në segmentin Qafë Thanë-Kapshticë bora arrin 8-10 cm. Akset Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë -Ersekë janë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa në aksin Qafë Thanë-Kapshticë është pjesërisht i kalueshëm me zinxhirë.

Nga reshjet e borës në Korçë, deri tani nuk ka probleme në qarkullimin e automjeteve. Ndërsa në Qafë Plloçë policia nuk lejon qarkullimin e automjeteve pa zinxhirë.

Reshjet e dendura të dëborës gjatë natës kanë mbuluar edhe fshatrat malore të Librazhdit, Gramshit dhe Elbasanit. Trashësia e dëborës ka arritur nga 10 deri në 30 cm.

Disa segmente të rrugëve rurale paraqesin vështirësi për momentin edhe pse reshjet janë ndërprerë. Situatë më problematike raportohet në aksin Lunik-Stebleve në Librazhd. Aksi kombëtar Prrenjas-Qafë Thanë është i kalueshëm.

Gjatë natës trashësia e dëborës arriti në 20 cm. U punua pa ndalim për hapjen e rrugës duke hedhur kripë e skorje për të evituar rrezikun nga ngricat./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd