Transmetuar më 30-12-2017, 07:29

Rindërtohet skena e grabitjes së bujshme të bankës në mes të qytetit të Laçit, pasditen e kësaj të enjteje.

Mësohet se grabitja ka ndodhur brenda tre minutash dhe se autorët kanë qenë tre persona.

Më konkretisht bëhet e ditur se në sallën operative të Komisariatit të Policisë Laç ka rënë alarmi i një Banke të Nivelit të Dytë, dega Laç në ora 16:24 minuta.

Patrulla e parë e policisë ka shkuar brenda 3 minutash tek Banka nga njoftimi i marrë, dhe pas 15 e 20 sekondash nga e para, kanë mbërritur edhe dy patrulla të tjera policie.

Nga kontakti i parë i marrë me punonjësit e bankës ka rezultuar se 3 persona të maskuar ende të paidentifikuar, dy prej tyre me armë zjarri pistoletë dhe njëri me vare kanë thyer xhamin e derës kryesore të njësisë së Bankës dhe nën kërcënimin e armëve, kanë marrë një sasi parash.

Leket ishin në përpunim nga punonjësit e bankës. Më pas janë larguar me një automjet.

Banka nuk ka qenë e hapur për klientët, por ka qenë duke u kryer veprimet e brendshme të saj.

Nga veprimet e kryera rezulton se nuk ka persona të lënduar dhe se autorët nuk kanë qëlluar me armë.

Në lidhje me ngjarjen, u ngritën menjëherë pika të shumta kontrolli, në të gjitha akset që lidhin qytetin e Laçit me qytetet e tjera.

Në Laç, kanë mbërritur menjëherë Drejtori për Hetimin e Krimeve të Rënda, Drejtori i FLO-së dhe Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit.

Në ndihmë të Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë shkuar edhe dy grupe të FNSH-së Tiranë dhe një grup i FNSH-së Shkodër.

Gjithashtu në ndihmë të specialistëve për hetimin e krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë janë angazhuar edhe ekspertë të hetimit për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Forca të shumta policie po krehin zonën dhe po vijojnë kontrolle në ambiente ku mund të jenë fshehur autorët dhe mjeti që kanë lëvizur.

Në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, deri tani janë kryer një sërë veprimesh në vendngjarje dhe në terren.

Grupi hetimor po sekuestron çdo provë sado të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes.

Njëkohësisht po vijon puna për sekuestrimin e të gjitha kamerave në të gjitha drejtimet që të çojnë në bankën ku ndodhi ngjarja.

Deri tani janë shoqëruar disa persona, si dhe janë kontrolluar banesa e garazhe.

Specialistë të bankës qendrore të këtij filiali po punojnë për përcaktimin e shumës së parave të vjedhura.

Dinamika e hetimeve është në zhvillim e sipër dhe për arsye hetimore nuk bëhen me dije detaje të tjera. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd