Magazinë
Transmetuar më 29-12-2017, 23:37

Policia e Shtetit ka dhënë detajet të reja lidhur me grabitjen e armatosur që ndodhi pasditen e kësaj të premte.

Sipas të dhënave mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:36, ku persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur nën kërcënimin e armës një bankë të nivelit të dytë.

Nga kontakti i parë i marrë nga Policia me punonjësit e bankës ka rezultuar se 3 persona të maskuar ende të paidentifikuar, 2 prejt tyre me armë zjarri (pistoletë) dhe njëri me vare kanë thyer xhamin e derës kryesore të njësisë së Bankës dhe nën kërcënimin e armëve, kanë marrë një sasi parash.

Leket ishin në përpunim nga punonjësit e bankës dhe më pas janë larguar me një automjet.

Banka nuk ka qenë e hapur për klientët, por ka qenë duke u kryer veprimet e brendshme të saj.

Nga veprimet e kryera rezulton se nuk ka persona të lënduar dhe se autorët nuk kanë qëlluar me armë.

Në lidhje me ngjarjen, u ngritën menjëherë pika të shumta kontrolli, në të gjitha akset që lidhin qytetin e Laçit me qytetet e tjera.

Në Laç, kanë mbërritur edhe Drejtori për Hetimin e Krimeve të Rënda, Drejtori i FLO-së dhe Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit.

Në ndihmë të Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë shkuar edhe 2 grupe të FNSH-së Tiranë dhe një grup i FNSH-së Shkodër. 

Gjithashtu në ndihmë të specialistëve për hetimin e krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë janë angazhuar edhe ekspertë të hetimit per Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, deri tani janë kryer një sërë veprimesh në vendngjarje dhe në terren.

Grupi hetimor ka sekuestruar çdo provë sado të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes.

Janë shoqëruar disa persona, si dhe janë kontrolluar banesa e garazhe.

Specialistë të bankës qëndrore të këtij filiali po punojnë për përcaktimin e shumës së parave të vjedhura.

Dinamika e hetimeve është në zhvillim e sipër./a.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd