Transmetuar më 29-12-2017, 12:27

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar ndaj qëndrimit të kryeministrit Edi Rama për reformën në dejtësi dhe ngritjes së institucioneve të drejtësisë.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili thotë se Rama përgatiti “pazarin e gjësë së gjallë për të blerë votat për reformën".

“Maninë e genjeshtrës së kryeministrit s’e shëron dot as mjekësia me koncesione. Në 21-22 korrik nga 140 votat e reformës në drejtësi kishte tmerr vetëm kryeministri, këtë e di i madh e i vogël.

Kryeministri përgatiti në atë kohë edhe pazarin e gjësë së gjallë për të blerë votat për reformën, ashtu siç bën sot që e zgjedh e kap kryeprokurorin me 69 vota më pak se çdo ministër”, shkruan Vasili.

Më tej ai thekson se “pazarin e gjësë gjallë e zhbëri Ilir Meta dhe LSI. “Kryeministrit ja mbërthyen flegrat e hundës, përfundoi si qen i rrahur lagjeje dhe votoi pa llafe si qingj bashkë me të tjerët, me 140 vota.

Sot ky qen i rrahur gënjen e thotë që medemek ky e paska dashur shumë reformën. Por gungën e gungaçit dhe sëmundjen e gënjeshtrës së kryeministrit s’ka mjekësi që e shëron qoftë kjo edhe me koncesione”, shprehet Vasili. /b.l/noa.al/