
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur sot pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku ka tërhequr pasaportën.
Një ditë më parë, Gjykata e Apelit ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për bllokimin e pasaportës së ish-ministrit të Brendshëm.
Ai apeloi vendimin e gjykatës që nuk i lejonte atij të lëvizte jashtë vendit, por tashmë Tahiri është i lirë për të shkuar jashtë shtetit duke rimarrë pasaportën.
Bllokimi i pasaportës nga Krimet e Rënda u bë më 12 dhjetor. Kjo erdhi, sipas prokurorisë, pas provave të reja të siguruara nga hetimet e dosjes "Habilaj".
Nga ana e tij avokati mbrojtës, ishte shprehur më herët se masa e dhënë ndaj klientit të tij nuk ishte një masë në përputhje me ligjin, kjo për faktin se hetimet për të ishin duke u zhvilluar dhe se klienti i tij nuk përbën rrezik as për prishjen e provave dhe as për largimin jashtë Shqipërisë.
Madje sipas avokatit vetë Saimir Tahiri është vetë personi më i interesuar për t’i shkuar deri në fund këtij hetimi. /b.l/noa.al/