
“Qeveria kundër Amerikës në OKB, ky turp i saj nuk zhbëhet!” Është kjo deklarata e kreut të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, lidhur me votimin e pak ditëve më parë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria doli kundër propozimit të Presidentit Donald Trump, për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Ai thotë se Qeveria votoi kundër Amerikës dhe këtë nuk e luan topi dhe se çdo alibi e shpëlarë e qeverisë vetëm se e rëndon këtë faj historik të saj.
“Asnjë shqiptar nuk është në krah të qeverisë kur ajo voton kundër Amerikës. Arsyet e errëta të këtij votimi antiamerikan të qeverisë janë të qarta dhe qëllimkëqija. Çdo avokati e këtij turpi që nuk zhbëhet dot është po aq e errët sa edhe vetë arsyet e errëta të qeverisë së kapur për të votuar haptas kundër Amerikës”, shkruan Vasili në Facebook.
Denoncimi i fortë, pa komplekse dhe pa kompromis i këtij turpi sipas tij, është i vetmi qëndrim i ndershëm në të mirë të Shqipërisë dhe në dëm të klikës antiamerikane që qeveris vendin dhe të gjithë zëdhënësve të saj politikë e parapolitikë. /a.y/noa.al