Transmetuar më 26-12-2017, 17:05

Pas kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit në kuadër të dekriminalizimit ka ardhur edhe reagimi i deputetit të qarkut të Elbasanit, Aqif Rakipi. 

Në një prononcim telefonik në media, Rakipi ka mohuar pretendimet e prokurorisë për të shkuarën e dy deputetëve, Rakipi dhe Rahovica i LSI, të cilët vite më parë kanë jetuar e punuar në Itali ku janë arrestuar për vjedhje, si dhe kanë përdorur emra të tjerë, kundravajtje të cilat nuk i kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit. 

Zbulimi i ndalimit në Itali i këtyre dy deputetëve për vjedhje dhe përdorimi i emrave të tjerë është bërë pasi janë dërguar shenjat e gishtave tek autoritetet italiane dhe Interpol. “Nuk kam qenë i arrestuar në Itali”, u shpreh Rakipi.

Nga ana e tij edhe deputeti Gledion Rehovica i LSI tha se nuk kishte informacion për kërkesën, por për këtë ishte njohur nga media.

Rakipi së bashku me deputetin tjetër Gledjon Rehovica akuzohen se nuk kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit ndalimet në Itali për vjedhje.

Kërkesa e firmosur nga Rovena Gashi, shefja e sektorit të dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkaq, KQZ ka kërkuar verifikim edhe për Mhill Fufin, ish- deputet i PD, Omer Mamo, ish- deputet i PDIU dhe kryetarin e bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri, por në përgjigje të Prokurorisë këta të fundit thuhet se nuk rezultojnë me shkelje. /b.l/noa.al/