Transmetuar më 26-12-2017, 11:18

Bujar Elezi, është taksist 48-vjeçar nga Durrësi, i cili mesnatën mes të shtunës dhe së dielës u faturua si taksist nga dy persona, por pa frikë ajo mund të cilësohet si rruga e tmerrit.

Ai u nis drejt Vlorës nga qyteti i Durrësit, por teksa po afrohej fundi rrugës, rreth orës 03.00 të mëngjesit të së dielës, pikërisht në aksin Levan-Vlorë, e rrah egërsisht nga pasagjerët e tij, të cilët nuk u mjaftuan me aq, por e mbyllën në bagazhin e taksisë për rreth gjysmë ore.

Pasi e rrahën dhe e mbyllën në bagazh, njëri nga të dyshuarit mori drejtimin e makinës duke udhëtuar drejt fshatrave Bunavi dhe Kërkovë në Vlorë, ku aty e nxorën nga bagazhi, e rrahën dhe më tej u larguan bashkë me makinën.

Ishte i dëmtuari ai që denoncoi në polici gjithë sa i ndodhi, ndërkohë që u dërgua në spital për marrjen e ndihmës së nevojshme, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

I dëmtuari tha para uniformave blu se autorët e grabitjes, u paraqitën si pasagjerë të rregullt dhe i kërkuan që të udhëtonte nga Durrësi drejt Vlorës, ndonëse as nuk i kishte parë më parë.

Nuk dihet ende se kush janë autorët e kësaj ngjarje, ndërkohë që nga ana e uniformave blu vijon puna për zbardhjen e gjithë sa ka ndodhur. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd