
Një person i dënuar më parë për shpërndarje droge dhe vjedhje, nuk ka hequr dorë nga avazi i vjetër, çka ka bërë që të përfundojë sërish në pranga.
Efektivët e komisariatit nr.3 të policisë në Tiranë, gjatë mbrëmjes së të shtunës bënë arrestimin e 37-vjeçarit Ervin Tavanxhi.
Ai dyshohet se vidhte pasqyra, navigator, bateri dhe pjesë të tjera të mjeteve të ndryshme.
Më konkretisht ai akuzohet se ditën e djeshme, në rrugën “Myslym Shyri”, me kryqëzimin e rrugës “Vangjush Furxhi”, është kapur në flagrancë duke vjedhur me thyerje navigatorin e mjetit tip “Benz”, në përdorim të shtetases M. M., 30 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjithashtu nga hetimet e kryera rezulton i dyshuar edhe për katër rastet e mëposhtme:
-Më 12 dhjetor, në rrugën e “Bogdanëve” dyshohet se ka vjedhur pasqyrat e një automjeti Benz.
-Më 24 tetor, në rrugën e “Vangjush Furxhi”, dyshohet se ka vjedhur pasqyrat e mjetit tip Benz.
-Më 23 gusht, në rrugën “Myslym Shyri”, dyshohet se ka vjedhur aksesorë dhe navigatorin e mjetit tip Benz.
-Me 23 gusht, në rrugën “Myslym Shyri”, dyshohet se ka vjedhur aksesorët dhe navigatorin e mjetit tip Golf.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një kaçavidë, një grup me 7 çelësa, një patentë, kartëmonedha, e sende të tjera.
Aktualisht policia po vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor edhe për disa vjedhje të tjera që ky shtetas dyshohet se mund të ketë kryer.
Ndaj Tavanxhiut, materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Vjedhjes së kryer më shumë se një herë”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





