Transmetuar më 23-12-2017, 19:51

Kryeprokuroja e re Arta Marku, u përfol si propozim i deputetit socialist Ulsi Manja, pasi së bashku ata kanë qenë në Prokurorinë e Shkodrës.

Lidhur me këto deklarata dhe akuza, ka reaguar vetë deputeti socialist.

Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, deputeti Manja ka folur për njohjen me të zgjedhurën Prokurore e Përgjithshme e përkohshme.

Teksa shpreh vlerësimin e tij për Kryeprokuroren e re, deputeti socialist thotë se Arta Marku është e denjë për t’u ulur në atë karrige.

“Njohja jonë daton në vitet 2002-2007 kur unë punoja në Prokurorinë e Shkodrës. Kam punuar në Shkodër me Zonjën Marku, kam qenë për disa kohë eprori i saj. Dihet problematika e Shkodrës. Është një nga qytetet e mbarsur me situata kriminale. Dhe unë mendoj se çdo prokuror që ka ushtruar detyrën atyre është i denjë për t’u ulur në karrigen e kryeprokurorit. Ato që thuhen janë akuza që bëhen nga segmente të caktuara të opozitës. Me ikjen e Llallës, tek opozita duket se janë thyer ca ekuilibra. Duhet të jetë hall shumë i madh ai që i ka detyruar të reagojnë ashtu në Kuvend”, u shpreh Manja.