
Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit. Në shënjestër të atentatit të dështuar, dyshohet sipas burimeve, të ketë qenë Ardian Çapja.
Për fat, asnjë nga plumbat e qëlluar nuk e ka kapur atë. Më pas, autorët e ngjarjes dyshohet se u larguan me një makinë tip BMW, e cila u gjet e djegur.
Sipas burimeve, autorët kanë përdorur një makinë identike me atë të fqinjëve të Çapjave për të mos rënë në sy. Dyshohet se autorë të atentatit ndaj Çapjave janë 3 persona.
Ende nuk dihen autorët e ngjarjes, por motivet nuk janë aq të panjohura për fisin Çapja, ndaj të cilëve janë organizuar një sërë atentatesh për konflikte të vjetra.
Ngjarja
Mëngjesin e sotëm breshëri armësh u shkrepën në një rrugicë në lagjen “Emin Matragjiu” të këtij qyteti. Më pas në Lagjen “5 Maji” është gjetur i djegur tërësisht një mjet me targa të të falsifikuara.
Sipas dëshmitarëve, në fillim është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, e më pas makina është përfshirë nga flakët. Në vendin e ngjarjes shkuan zjarrfikëset që bënë të mundur shuarjen e zjarrit.
Atentatorët janë larguar me një tjetër mjet dhe deri më tani policia nuk i ka identifikuar, por thotë se janë ngritur postoblloqe të shumta në qytet dhe rrugët dalëse.
Zanafilla e krimeve
Saga e vrasjeve e atentateve zë fill në vitin 2005 pas një përplasje mes Fadil Memës, ish shef qarkullimi ne Drejtorine Elbasan dhe Sokol Çapjas, ky i fundit mbeti i vrarë në në dhjetor të atij viti. Dritan Sheme ishte, i afërm i familjes Mema do të ishte viktima e radhës, por ngjarja mbeti pa autor.
Në vitin 2006, u ngritën dyshime se Çapjat synuan të ekzekutonin Fadil Memën pranë banesës së tij po ai vetëm sa plagoset dhe i shpëton atentatit.
Në vitin 2009, dyshohet se fisi Çapja ka sponsorizuar vrasjen e ish-shefit të antidrogës në policinë e Elbasanit, Roland Rexhepin "Doda", kushëriri i Fadil Memës.
Për këtë ngjarje janë arrestuar dhe dënuar Armand Llakaj kushëri i familjes Çapja dhe Marjus Tafa me 48 vite burg, megjithëse ata nuk e kanë pranuar krimin. Pa kaluar shumë kohë në 30 dhjetor 2011 qëllohet me armë vëllai i Roland Rexhepit, Ilir Rexhepi, kushëri me Fadil Memën.
Hakmarrja ka vijuar në 15 gusht 2012, me vrasjen e Gentian Beqiraj i arrestuar nga prokuroria për vrasjen e Sokol Çapjas. Prokuroria arrestoi në doganën e Qafë-Thanës, Florenc Çapjan dhe Arben Jaçen, të cilët u identifikuan nga policët e shërbimit poshtë pallatit.
Pas këtij krimi Fadil Mema, i ndodhur mes një seri sulmesh dhe mosgjetjes së gjuhës së dialogut dhe refuzimit për tu pajtuar me familjen Çapja, vendos të marrë familjen e tij dhe të largohet në Itali, duke qëndruar në Torino. Anëtarët e familjes Çapja e gjurmojnë deri në Itali duke e vrarë në 14 mars 2015.
Por saga nuk mbaron këtu në shkurt të vitit 2016 si pasojë e një atentati në një lokal pranë stadiumit Elbasan Arena mbetën të vrarë 3 pjesëtarë të fisit Çapja, Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli ndërruan jetë ndërsa u plagosën 8 persona të tjerë.
Dalin pamjet nga atentati i fundit ndaj Çapjave, zanafilla e krimeve daton në vitin 2005
Të shtënat me armë zjarri në Elbasan, dyshohet për atentat ndaj fisit të njohur Çapja
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





