Transmetuar më 23-12-2017, 13:41

Dy pajisje të reja diagnostikuese, aparatura të fjalës së fundit të teknologjisë, dhe një sërë aparaturash të tjera mjekësore i shtohen Pediatrisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, falë bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).

“Aparaturat e reja që janë instaluar në këtë ambjent krejtësisht të rikonstruktuar dhe të përshtatur për fëmijët, siç është aparatura e Rontgenit, rrisin ndjeshëm cilësinë e diagnositikimit për të trajtuar më mirë sëmundjet e fëmijëve, duke përmirësuar cilëninë e shërbimeve në Pediatri”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu gjatë ceremonisë së inagurimit, ku merrte pjesë edhe ambasadori i Japonisë në Shqipëri, z. Makoto Ito.

Pajisjet e reja kompletojnë kabinetin e imazherisë pediatrike në një ambjent të rikonstruktuar e të përshtatur më së miri për të vegjlit, që ta ndjejnë sa më pak peshën e sëmundjes. Aparatura moderne e Rontgenit, me vlerë rreth 200 mijë USD, jo vetëm përmirëson diagnostikimin e sëmundjeve, por funksionon me doza shumë të vogla rrezatimi, çka rrit ndjeshëm sigurinë për fëmijët që kryejnë këto ekzaminime.

Në këtë kabinet kryhen rreth 7 mijë ekzaminime në vit dhe falë kësaj aparature të re që shërben për diagnostikimin bazë të të gjitha sëmundjeve, fëmijët do të mund të diagnostikohen dhe trajtohen më mirë.

Investim tjetër shumë i rëndësishëm është pajisja eko Doppler, e cila zëvendëson aparaturën e vjetër të pediatrisë. Me këtë pajisje jo vetëm rritet niveli diagnostikues për të gjitha sëmundjet e fëmijëve, por edhe shtohen ekzaminime të reja, pasi për herë të parë arrihet të kryhet ekzaminimi i enëve të gjakut. Kjo aparaturë do të kryejë rreth 8 mijë ekzamnime në vit./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd