Transmetuar më 22-12-2017, 15:41

"FNSH" e Fierit dhe policia e Vlorës shkatërruan një rrjet të prodhimit dhe shitjes të drogës duke arrestuar babë e bir si organizator dhe 5 persona të tjerë në rolin e punëtorëve. Operacioni i koduar "Seven" është ndërmarrë në fshatrat Velç dhe Vllahinë, ndërsa është sekuestruar një sasi prej 155 kg drogë.

Burime policore bëjnë me dije se në pranga janë vënë Aleksandër Ajazi (Karçanaj), 30 vjeç, organizator dhe Tomorr Karçanaj, 55 vjeç, bashkëpunëtor, të dy banues në Vllahinë,

Operacioni antidrogë është finalizuar në dy fshatra, konkretisht në fshatin Velç, në banesën e Tomorr Karçanaj, janë gjetur dhe sekuestruar nga policia 100 kg lëndë narkotike kanabis sativa, në formë pluhuri e cila shërben për përgatitjen e lëndës narkotike në formë çokollate.

Në këtë banesë janë arrestuar në flagrancë punëtorët, me detyrë mirëmbajtjen dhe përgatitjen e lëndës narkotike, shtetasit Indrit Binaj, 29 vjeç, banues në Vlorë, Eriselda Rrënja, 26 vjeçe, banuese në Llakatund, Vito Gashi, 56 vjeçe, banuese në Shushicë, Enver Gashi, 28 vjeç, banues në Shushicë dhe Xheladin Bushaj, 52 vjeç, banues në Shushicë.

Gjithashtu në fshatin Vllahinë, në një tjetër banesë të shtetasit Tomorr Karçanaj, në një nga mjetet në përdorim të djalit të tij Aleksandër Ajazi (Karçanaj), është konstatuar një tjetër sasi lënde narkotike kanabis sativa me peshë 55 kg edhe kjo në formë pluhuri e cila shërben për përgatitjen e lëndës narkotike në formë çokollate.

Policia Vlorë në përfundim të veprimeve hetimore ka bërë arrestimin në flagrancë të 7 shtetasve të lartpërmendur, si sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të: 155 kg lëndë narkotike kanabis sativa, 4 sita që shërbenin për përgatitjen e lëndës narkotike në formë çokollate, 2 automjete, tip Mitsubishi e Benz, dhe 7 aparate celular.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndaj shtetasve të lartpërmendur për veprën penale të "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve e kryer në bashkëpunim"./b.l/noa.al/