Transmetuar më 21-12-2017, 15:35

Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit, e në pritje të Vitit të Ri 2018, pasi pritet të ketë rritje të numrit të shtetasve që hyjnë e dalin nga territori i Republikës, rritje të numrit të mjeteve në qarkullim, zhvillim të aktiviteteve festive, por edhe përdorim të lëndëve piroteknike, fishekzjarreve etj.

Policia e Shtetit ka përcaktuar objektivat në planet e masave që ka hartuar për këtë fundviti, nëpërmjet të cilave synohet:

Rritja e sigurisë në komunitet në të gjithë territorin;

Parandalimi i ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë;

Evidentimi dhe kontrolli i personave me precedent kriminal e penal, mbajtja e tyre nën kontroll dhe automjeteve që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë;

Rritja e efikasitetit të shërbimeve të Policisë në njohjen e situatës operative kriminale, nëpërmjet bashkërendimit dhe bashkëveprimit efektiv të strukturave;

Identifikimi dhe kapja e personave të ngjarjeve kriminale kundër jetës e pronës dhe personave në kërkim;

Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, planifikimi dhe zbatimi i masave për kapjen e autorëve të mundshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore;

Rritja e prezencës policore në akset kryesore rrugore, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe ngjarjeve kriminale; 

Forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese.

Strukturat e Policisë do të analizojnë dhe rivlerësojnë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës e pronës, për konflikte për motive të ndryshme, persona në kërkim, si dhe të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Janë hartuar Planet e Vendosjes së shërbimeve të Policisë Rrugore me qëllim monitorimin e akseve kryesore rrugore kombëtare.

Këto struktura mbështeten nga Repartet e NSH Tiranë, Fier, Shkodër për kontrollin e territorit dhe patrullime të përbashkëta.

Bazuar në informacione, do të organizohen operacione të përbashkëta në pika kontrolli stacionere apo të lëvizshme, për ndalimin, kontrollin e sigurt të automjeteve dhe kapjen e personave objekt i këtij kontrolli.

Strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, Qendra Tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante, apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj.

Janë evidentuar dhe organizuar  shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale të lojërave të licencuara të fatit dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale.

Gjithashtu strukturat e Policisë do të organizojnë takime me subjektet e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF) për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd