Transmetuar më 21-12-2017, 11:37

Byroja e Kuvendit ka vendosur masën ndëshkuese për deputetët e opozitës, të përfshirë në incidentin e seancës parlamentare të së hënës ku u protestua kundër zgjedhjes së kryeprokurores Arta Marku.

Gjatë seancës parlamentare pati momente tensioni, madje deri në përplasje fizike.

E mbledhur ditën e sotme, Byroja vendosi që shtatë deputetë të opozitës, mes tyre kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, të përjashtohen 10 ditë nga Kuvendi.

Kërkesa e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetëve të LSI Monika Kryemadhit, Endrit Brahimllarit, Kejdi Mehmetaj dhe të PD, Flamur Noka, Ervin Salianji, Bardh Spahia dhe Endri Hasa, u pranua nga Byroja.

Gjithashtu Byroja ka vendosur përjashtimin me 5 ditë të deputetit të Partisë Socialiste Bujar Çela i cili goditi deputeten e LSI, Kejdi Mehmetaj. Masa ndëshkuese ndaj tyre fillon më 15 janar, kur dhe fillon legjislatura e re e parlamentit.

Sakaq ndaj 10 deputetëve të opozitës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për prishje të rendit publik dhe kundërshtim të policisë gjatë protestës së 18 dhjetorit, në seancën e votimit të kryeprokurores së përkohshme. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd