Transmetuar më 21-12-2017, 11:34

Buxheti i vitit 2018 është buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës. Në mbledhjen e sotme të këshillit Bashkiak, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se falë mirëadminsitirmit, për të tretin vit rresht, buxheti vjen në rritje. 

“Fakti që ky është viti i tretë rresht që vijmë përpara Këshillit me një buxhet me rritje, besoj se na jep të gjithëve të drejtën të ndihemi krenarë për punën që kemi bërë, por, ç’është akoma më e rëndësishme, na jep arsye të ndihemi optimistë se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit tonë për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër. Ky është padyshim kurorëzimi më i bukur që mund t’i bëhej një viti shumë të mirë për qytetin”, deklaroi Veliaj.

 Në fjalën e tij, Veliaj prezantoi edhe bilancin e punëve të bëra gjatë këtij viti nga Bashkia e Tiranës. Kreu i Bashkisë tha se ky vit që po mbyllet ka qenë padyshim një vit shumë i mirë për kryeqytetin. “Tirana është sot një qytet krejtësisht i transformuar në raport me atë qytetin e fjetur e me një pafundësi problemesh që gjetëm në 2015. Ky është një fakt, që e shohin të parët qytetarët e Tiranës. Besoj se kjo është një arsye për t’u ndjerë mirë që të gjithë për perspektivën e ekonomisë së qytetit”, u shpreh ai.

Veliaj nënvizoi se gjatë 2017 numri i turistëve që vizituan Tiranën u rrit 2.5 herë krahasuar me 2016, ndërsa shprehu bindjen se viti 2018 do të shohë një rritje akoma më spektakolare të këtij sektori si rezultat i një pune shumë të madhe që është bërë në çdo anë e kënd të kryeqytetit, duke filluar nga Sheshi Skënderbej në zemër të qytetit e duke vazhduar deri në skajin më të largët të Tiranës rurale, që kanë krijuar një ofertë të mirëfilltë në Tiranë dhe e kanë vënë atë në hartën e destinacioneve për kompanitë turistike.

Veliaj u shpreh se gjatë këtij viti është arritur të përfundojnë disa nga projektet e mëdha strategjike të Tiranës.  “Pazari i Ri është kthyer sot nga një gërmadhë në një nga zonat më fantastike e destinacionet më tërheqëse të Tiranës, sidomos me turistët e huaj. Është një model që tregon sesi investime të mirëmenduara e strategjike në disa zona si Pazari i Ri mund t’i shndërrojnë ato zona në motorë të vërtetë rritjeje ekonomike për qytetin”, tha ai. 

Një tjetër projekt është dhe ai i Sheshit Skënderbej, një vepër unike qoftë përsa i përket zgjidhjeve arkitekturore, qoftë përsa i përket impaktit në jetën e qytetit. “Sheshi është kthyer sot realisht në një agorë të qytetit dhe në një nga destinacionet më popullore të Tiranës. Një kartolinë e Tiranës në fakt, që vizitohet çdo ditë nga mijëra qytetarë dhe që ka pasur një axhendë eventesh artistike e kulturore realisht impresionuese”, tha ai.

Një tjetër projekt i rëndësishëm që ka përfunduar është edhe edhe Bulevardi i Ri. “Ia dolëm që brenda 2 vjetësh të hapim parkimin nëntokësor dhe segmentin e parë të këtij projekti, që e gjetëm me një realizim prej vetëm 2% nga administrata paraardhëse. Ne sot kemi zhvilluar edhe konsultën e parë publike për Parkun Qendror që do të ndërtohet në zemër të këtij projekti, me një sipërfaqe plot 6 herë më të madhe sesa ajo e Parkut Rinia. Nuk është shumë e largët dita kur Bulevardi i Ri do të kthehet në lagjen më të re e më moderne të Tiranës. është pra, paja jonë për qytetin e Tiranës”, deklarori Veliaj.

Krahas investimeve në infrastrukturë, një vëmendje i është kushtuar edhe zhvillimit të sportit dhe një jetë të shëndetshme për qytetarët e Tiranës. Projekti tjetër madhor i realizuar gjatë këtij viti ishte Parku Olimpik, një kompleks supermodern e multifunksional sportiv, aty ku më parë kishte vetëm gërmadha./b.l/noa.al/