Transmetuar më 20-12-2017, 22:35

Ish-deputetja e Partisë Demokratike Albina Deda, ka konfirmuar se ka lidhje familjare me kryeprokuroren e re, Arta Marku.

Ajo thotë se kryeprokurorja është një njeri model dhe ata që e përgojojnë, duhet të skuqen nga turpi.

Reagimi i Albina Dedës

Zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme ka bërë që gjithë këto ditë të kem qenë rëndom e lakuar në media, portale e rrjete sociale ndaj obligohem të sqaroj sa më poshtë:

-Është shumë e vërtetë se Arta Marku është njeri i afërt i familjes time dhe për këtë jam krenare. Kam qenë dhe jam pranë saj çdo moment dhe indinjohem thellë nga përgojime e hamendësime të pabaza dhe shpifje të rëndomta ordinere që bëhen ndaj saj.

-Unë nuk jam konstitucionaliste dhe as juriste por ajo që mund t`i servir hapur gjithë miqve dhe publikut është fakti se personaliteti dhe integriteti moral e profesional i prokurores Arta Marku është një model i cili i bën nder në çdo rast sistemit të drejtësisë.

-Arta Marku është po ashtu modeli i familjares së përkryer, i një zonje shembullore për familjen e saj, të afërmit dhe miqësinë.

-Prejardhja dhe geni familjar i Artës duhet t`i bëjnë të skuqen ata që intrigojnë dhe hamendësojnë të paqena. Ndër brezni familjare ajo shquhet për atdhetari, nder, dinjitet, bujari, sojni e krenari të cilat i ka manifestuar dhe do i manifestojë me konseguencë dhe në këtë post të lartë.

-Unë i përkas pa u lëkundur asnjë çast opozitës, asaj opozite anti-komuniste, jo përfituese e jo abuzuese dhe insistoj për një reformim të sistemit në tërësi dhe atij të drejtësisë në veçanti.

Por sistemin e bëjnë njerëzit dhe Arta Marku ju siguroj se është njëri nga personat e duhur që kuron me guximin, ndershmërinë e profesionalizmin këtë sistem të përçudnuar nga klonet e shëmtuara të diktaturës që akoma e sundojnë.

Edhe njëherë proklamoj simpatinë time të pakursyer për Arta Markun dhe besimin se do ta tregojë shumë shpejt se është e drejtë dhe pa kompromis ndaj krimit e korrupsionit pavarësisht nga vjen e ç’emër ka.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd