
Çështja e “atentatit” ndaj deputetit Tom Doshi dhe ish-deputetit Fufi vazhdon të endet nëpër gjykata. Vetëm pak kohë pasi Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë, edhe Krimet e Rënda kanë bërë të njëjtën gjë duke e kaluar sërish dosjen në Gjykatën e Lartë.
Ditën e djeshme, Durim Bami duhet të dilte para Gjykatës së Krimeve të Rënda për rivlerësim të masës së sigurisë “arrest shtëpiak”, por seanca nuk u zhvillua, shkruan “Panorama”.
Kjo për shkak se Krimet e Rënda kanë shpallur moskompetencë duke e kaluar sërish dosjen andej prej nga u nis. Duket se kjo çështje nuk do të shqyrtohet asnjëherë deri sa të krijohet Gjykata Speciale Antikorrupsion.
Durim Bami, i cili është nënakuzë për “kallëzim të rremë”, po ashtu si edhe Doshi, qëndron që prej 2 vitesh e nëntë muajsh në arrest shtëpiak. Ai akuzohet se, së bashku me Tom Doshin kanë orkestruar një atentat të rremë ndaj këtij të fundit.
Në këtë dosje, si i bashkëpandehur është dhe ishdeputeti Mark Frroku. Gjykata e Lartë hoqi dorë nga dosja bazuar në ndryshimet kushtetuese që u bënë për reformën në drejtësi.
Kjo për shkak se ligji parashikon që deputetët gjykohen nga Gjykata Speciale Antikorrupsion. Dosja kaloi te Krimet e Rënda, e cila ka shpallur gjithashtu moskompetencë dhe tashmë nuk dihet se si do të zgjidhet ky ngërç.
Ndërkohë, Durim Bami e ka bërë kërkesën për shuarje të masës së sigurisë që në muajin nëntor dhe ishte në pritje të mbajtjes së seancës, e cila nuk u krye.