Transmetuar më 19-12-2017, 16:02

Nënkryetari i Kuvendit, deputeti demokrat Edi Paloka, kreu i grupit parlamentar të PD-së Edmond Spaho si dhe deputetët Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj, Eduard Halimi dhe sekretari organizativ Enno Bozdio do të jenë pasditen e sotme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Ky është vendimi që ka marrë Partia Demokratike pas ndalimit të disa aktivistëve të opozitës pas protestës së djeshme të saj tek parlamenti.

Ndërkohë që nga Drejtoria e Policisë, deputeti i PD-së, Ervin Salianji, apeloi prokurorinë të lirojë 6 protestuesit që morën pjesë në protestën e një dite më parë të opozitës dhe që vijojnë të qëndrojnë në qelinë e izolimit. Sipas tij, protestuesit po mbahen në paligjshmëri.

“Prokurori i ri i Republikës së Shqipërisë po nis me akte paligjshmërie, ashtu si edhe dje në sallën e Kuvendit në sy të gjithë publikut në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës u emërua Kryeprokuror i Shqipërisë. 

Dje gjatë natës dhe sot gjatë ditës, protestues paqësorë të opozitës për të cilët Policia e Shtetit nuk ka asnjë provë, asnjë fakt për të gjithë, asnjë provë për paligjshmërinë e protestës paqësore qëndrojnë të arrestuar. I bëj thirrje prokurorisë, çdo prokuror që i ka shkuar çështja e këtyre qytetarëve të bëjë lirimin e tyre”, u shpreh Salianji. /b.l/noa.al./

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd