Transmetuar më 19-12-2017, 12:38

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha në një dalje për mediat mesditën e sotme, dënoi dhunën e ushtruar ndaj grave dhe vajzave dhe posaçërisht ndaj deputeteve Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi, gjatë ditë së djeshme në Kuvend, teksa opozita mbante protestë kundër zgjedhjes së kryeprokurores së re.

Pasi falënderoi qytetarët që mbështetën protestën, ajo tha së LSI plotësisht të gjitha deklaratat e bëra nga përfaqësitë e huaja diplomatike në vend, të cilat dënojnë dhunën e ushtruar në Kuvendin e Shqipërisë.

“Unë dua të theksoj sot para jush se ne jo vetëm i mbështesim, po dënojmë njësoj si ata me shumë forcë dhunën e ushtruar ndaj Kushtetutës së Shqipërisë si udhërrëfyesi kryesor të funksionimit të një shteti. Dënojmë marrjen peng të Reformës në Drejtësi asaj reforme te e cila besuan të gjithë qytetarët shqiptar. Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj grave dhe vajzave, dënojmë dhunën e ushtruar ndaj deputetes Kejdi Mehmetaj si dhe tërheqjen me forcë që ju bë deputetes më të re në Kuvendin e Shqipërisë, Floida Kërpaçi. Madje duke e gjakosur atë. Britmat e një nëne që tërhiqej në mes të turmës nga policia e shtetit”, u shpreh Gjosha.

Në emër të LSI, deputetja dënoi marrjen në rajon të disa vajzave të reja që protestonin paqësisht në Rinas.

Ajo i kujtoi Kuvendit se pak ditë më parë u votua një rezolutë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, që kjo rezolutë të mos mbetet vetëm në letër.

“Unë realisht e uroj këtë dhe të gjithë së bashku të fillojmë të kuptojmë që kjo Rezolutë tashmë duhet të fillojë të zbatohet. Dhe ky është një rast që do të ishte edhe treguesi më i mirë, se si do të mund të zbatohej dhe të dënohej fort dhuna e ushtruar ndaj grave dhe vajzave gjatë ditës së djeshme”, shtoi më tej deputetja e LSI.

Po ashtu ajo tha se LSI dënon gjithashtu fyerjen dhe përdorjen që ju bë dje një gruaje, që u zgjodh me vota të paligjshme në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, duke e detyruar atë të bëhej pjesë e një loje të shëmtuar të Kryeministrit, që sipas saj, dje përveçse këtij posti emëroi sërish veten e tij në krye të këtij institucioni.

“Ne jemi të vendosur në kauzën tonë për një drejtësi të pavarur, për ndërtimin e një Shqipërie të lirë nga diktatura verbale, por edhe ajo e kartonave që përdoren me arrogancë në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të vazhdojmë misionin tonë nëpërmjet gjithë mjeteve demokratike dhe ligjore për t’ia kthyer Shqipërinë gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha në mbyllje Klajda Gjosha. /a.y/noa.al