Transmetuar më 18-12-2017, 19:01

Edhe pse mandati i saj është i përkohshëm, kompetencat ligjore që i cakton Kushtetuta, Kryeprokurores së re, nuk janë edhe aq të ndryshme nga ajo e Prokurorit të Përgjithshëm.

Kështu, Arta Marku vendoset në krye të organit të Akuëz, vetëm me votat e mazhorancës, në një kohë që situata politike nuk është aspak e qetë, dhe ku reforma në drejtësi thuhet se do të nisë të “fusë në rrjetë peshqit e mëdhenj”.

Por deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm nga KLP, Arta Marku do të ketë të gjitha kompetencat ligjore të Prokurorit të Përgjithshëm.

Këto kompetenca, parashikohen në nenin 148/b të Kushtetutës dhe në nenin 38 të ligjit “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Kompetenca e parë është përfaqësimi i akuzës në Gjykatën e Lartë dhe çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme. Në vijim, Prokurori i Përgjithshëm nxjerr udhëzime me shkrim për prokurorët dhe siguron mbarëvajtjen e punës në administratën e prokurorisë, përvec administratës së Prokurorisë së Posaccme. Ai propozon dhe administron buxhetin e prokurorisë dhe raporton në Kuvend për çështjen e kriminalitetit.

Mes të tjerave, Marku ka kompetencën të drejtojë veprimtarinë e Policisë Gjyqësore si dhe të kërkojë nisjen e hetimeve për shkelje disiplinore, po ashtu edhe të administrojë sistemin e përgjimeve.

Një tjetër kompetencë është edhe fakti se në pikën “e” të ligjit përaktohet si kompetencë e Prokurorit të Përgjithshëm caktimi i strukturës së përgjithshme dhe rregullores standard për funksionimin e prokurorive si dhe miratimi i organikës në Prokurorinë e Përgjithshme. (e.c/noa.al)