


Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në Kongresin e Dytë të Noterisë me temë “Dixhitalizimi, prioritet i aktivitetit modern të noterisë”.
Në fjalën e tij kreu i shtetit tha se dixhitalizim do të thotë, transparencë, shpejtësi, efektivitet, dhe përgjegjshmëri, elementë këto të cilat sjellin vetëm progres dhe zhvillim të padiskutuar.
Ai deklaroi se mbështes çdo iniciativë të noterëve, që nxit dhe formalizon marrëdhënie bashkëpunuese me organizatat paralele, të cilat kanë treguar se janë model suksesi.
Meta shtoi se janë bërë përpjekje pozitive për dixhitalizimin e shërbimit noterial, por ky proces duhet të vazhdojë pasi legjislacioni ndryshon, teknologjia përparon dhe në këtë mënyrë përshtatja me kërkesat e kohës, është e nevojshme për vet noterin dhe e detyrueshme për autoritetin publik.
Meta tha se në shërbimin noterial funksionon sot sistemi elektronik i arkivës noteriale dhe se ngritja dhe funksionimi i këtij sistemi është një hap shumë i madh drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit.
“Nga aplikimi i detyruar i këtij sistemi, në bashkëpunim dhe me institucione të tjera, përveç se është arritur progres në punën tuaj, është lehtësuar gjithashtu puna e autoriteteve në parandalimin e veprimtarive të paligjshme në fushën ekonomike, por njëkohësisht dhe në zbulimin e veprimeve kriminale në fushën e pastrimit të parave dhe aseteve kriminale”, deklaroi Presidenti.
Ai tha në vijim se, dixhitalizimi dhe përsosja e platformave dixhitale të ndërveprimit, nuk do të ndihmojë vetëm noterët, por njëkohësisht lehtëson zbatimin e ligjit nga organet e tjera, nxit bashkëpunimin në kohë reale, dhe në këtë mënyrë kostot që duhen përballuar për zhvillimin e dixhitalizimit, janë vetëm pozitive.
“Dixhitalizimi përveçse shkurton kohën e punës suaj, por njëkohësisht, lehtëson jetën e qytetarëve, si dhe nxit ekonominë vendase të zhvillohet më shpejt. Edhe pse noteri hyn në sferën e profesioneve të lira, funksioni që ai kryen ka karakter publik dhe për të ruajtur besimin e publikut, dhe për të ofruar gjithmonë një shërbim cilësor, është e nevojshme monitorimi i vazhdueshëm i veprimtarisë së tij, por gjithmonë pa cenuar pavarësinë profesionale të tij”, u shpreh Meta.
Kreu i shtetit nënvizoi se monitorimi i veprimtarisë së noterit është një tjetër moment ku dixhitalizimi është i nevojshëm dhe lehtësues.
Një sistem elektronik i ndërtuar mirë, i dixhitalizuar krejtësisht për të gjitha proceset e punës, dhe sipas parametrave të kohës, sipas tij, do të pakësonte mundësitë që noteri të gabonte, duke shmangur kështu pasojat.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe diskutuan Presidentja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushaj, Presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Noterëve, Jose de Llano, Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, Drejtorja e Përgjithshme e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, etj. /a.y/noa.al