






Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe përfaqësia e OKB-së në Tiranë i kanë dhuruar Bashkisë së Tiranës dy pemë për çdo makinë që zotërojnë dhe përdorin në Tiranë, të cilat janë mbjellë në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.
Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi gatishmërinë e shprehur nga këto organizma ndërkombëtare për të kontribuar në mbjelljen e pemëve si një masë edhe për të patur një mjedis më të pastër dhe të jetueshëm në Tiranë.
“Jam shumë i lumtur sot që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe i gjithë stafi i tyre në Tiranë na janë bashkuar për mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit. Sapo kemi hapur një shteg të ri, të cilin po e gjelbërojmë në të dyja anët dhe ato i janë përgjigjur sfidës tonë. Sfida jonë ishte, kush ka një makinë duhet të mbjellë dy pemë. Kështu që, për të gjitha makinat e Kombeve të Bashkuara që qarkullojnë në Tiranë kemi marrë mbrapsht dy pemë”, u shpreh ai.
Veliaj tha se për Bashkinë e Tiranës është e rëndësishme që të ecet me këtë ritëm dhe kësaj nisme t’i bashkohen të gjithë ata që kanë një makinë apo edhe çdo qytetar që kërkon që t’u lërë fëmijëve të tij një qytet më të pastër.
“Nëse të gjitha bizneset, kompanitë, sipërmarrjet, organizatat e huaja e ato vendore, kushdo që ka një makinë e shumëzon për dy dhe i jep qytetit dy pemë, unë them se në një farë mënyre e ka larë ndërgjegjen nga përdorimi i makinës në Tiranë”, shtoi kryebashkiaku.
Ai siguroi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me intensitet të lartë projektin e mbjelljeve të pemëve dhe të krijimit të Pyllit Orbital. “Do vazhdojmë me ambicien tonë për ditë duke mbjellë 2 milionë pemë dhe besoj se një nga arsyet pse ne dhe OKB-ja punojmë kaq mirë bashkë është sepse çdo ditë mundohemi të bëjmë diçka konkrete. Kur kemi agjenci të huaja, lokale që funksionojnë me këtë mentalitet, pra duhet të prodhojmë një rezultat të prekshëm për qytetarët, është mënyra se si mund të avancojmë më shpejt Tiranën dhe ambiciet tona”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se, vetëm në këtë mënyrë dhe me këtë ritëm, Tirana pas disa vitesh do jetë e rrethuar nga një pyll me 2 milionë pemë.
“Them që deri në vitin 2030 Tirana do ta ketë pajën e vet që është mushkëria që e rrethon qytetin, Pylli Orbital”, deklaroi ai.
Në mbjelljen e pemëve morën pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtoresha e PNUD, Limya Eltayeb dhe Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, si dhe stafi përfaqësive në Tiranë. /a.y/noa.al